Jete & Stil

WhatsApp, së shpejti do të përdoret e njëjta llogari në disa pajisje

Karakteristika më e pritur nga përdoruesit e WhatsApp-it është në proces. Gjatë një interviste me WABetaInfo, Mark Zuckerberg, pronari i Facebook-ut, që kontrollon aplikacionin e mesazheve, konfirmoi se deri në fund të verës do të jetë e mundur të konfiguroni të njëjtën llogari WhatsApp-i në disa pajisje,  maksimumi deri në katër. Përditësimi do të fillojë së pari në versionin beta dhe më pas për publikun.

Përveç kësaj risie, Zuckerberg ka parashikuar dy shtesa të tjera: “Disappearing Mode” e “View Once” (mënyra e zhdukjes dhe shiko një herë), ku të dyja do të dalin në treg për dy muaj.

Me të parën, mesazhet e marra dhe të dërguara do të fshihen pas një periudhe kohe, që sipas zgjedhjes shkon midis 24 orëve ose 7 ditëve.

Ndërsa tek e dyta, “View Once”,  pasi një përdorues të ketë parë përmbajtjen multimediale në një bisedë, ato do të zhduken automatikisht dhe përgjithmonë.

Zuckerberg konfirmoi për WABetaInfo, se mbështetja me shumë pajisje nuk do të kompromentojë kriptografinë “end-to-end”, e cila aktualisht mbron mesazhet midis dy pajisjeve komunikuese, përmes një çelësi të përbërë nga një pjese e zakonshme dhe unike, e pranishme në smartphone-in dërgues dhe në atë marrës.

"Ishte një sfidë e madhe teknike për të marrë mesazhe dhe përmbajtje për ta sinkronizuar siç duhet në të gjitha pajisjet e konfiguruara, edhe kur bateria e telefonit mbaron, por ne e kemi zgjidhur këtë problem dhe mezi presim të hapim përditësimin", - njoftoi ai.

Prej kohësh, konkurrenti kryesor i WhatsApp-it, Telegrami, e lejon vendosjen në të njëjtën llogari në shumë telefona ose tableta, si dhe dërgimin e mesazheve të bisedave që fshihen automatikisht.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë