Politike

VV: Rama, tradhti kombëtare. Pranoi zgjerimin e Greqisë me 12 milje

Lëvizja Vetëvendosje ka akuzuar sot kryeministrin Edi Rama, për tradhti kombëtare sa i përket marrëveshjes me Greqinë për dërgimin e çështjes së kufijve detarë në Gjykatën ndërkombëtare të Hagës.

Sipas një postimi të Lëvizjes Vetëvendosje në Tiranë, kjo u konfirmua nga deklarata e kryeministrit grek, Mitsotakis se Athina do të zgjerohet fillimisht me 12 milje në Detin Jon.

Për VV-në, edhe sqarimi i krye diplomatit grek, Niko Dendias, për të njëjtën çështje, ka zbuluar strategjinë e Edi Ramës për tradhti dhe përpjekjen e Greqisë për zaptim.

"Micotaqis dhe Dendias nxjerrin zbuluar tentativën e Ramës për tradhti kombëtare. Më 25 tetor 2020, në Parlamentin grek, Kryeministri Mitsotaqis, deklaroi se Greqia do depozitojë një herë në OKB zgjerimin nga 6 në 12 milje detare (md) në Detin Jon, pastaj bashkë me Shqipërinë do t’i referohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GjND) në Hagë për të përcaktuar zonat ekskluzive ekonomike. Për këto ai tha se “ka një marrëveshje në parim me Shqipërinë”. Ministri i Jashtëm grek, Dendias, po dje, sqaroi të njëjtën gjë në një intervistë. Këto dy deklarata nxjerrin zbuluar strategjinë ekspansioniste të Greqisë dhe kolaboracionizmin e Ramës”, thotë VV. Theksojmë se marrëveshja në parim, për të cilën flet Micotaqis, paska një përmbajtje që është mbajtur e fshehtë për publikun shqiptar deri dje. Traktatet e fshehta janë jo vetëm të papranueshme por edhe të paligjshme sipas Nenit 102 të Kartës së OKB-së. Në këtë marrëveshje të fshehtë mes Qeverisë Rama dhe Qeverisë Mitsotaqis, nga deklaratat e këtij të fundit, po sqarohet se Shqipëria ka hequr dorë nga kontestimi i zgjerimit të Greqisë nga 6 në 12 milje në Detin Jon. Ata shqiptarë që ende mendojnë se Greqia e ka të drejtën të zgjerohet nga 6 në 12 md në Detin Jon në bazë të Nenit 3 të Konventës mbi të Drejtën e Detit, ose nuk e njohin këtë Konventë dhe ligjin ndërkombëtar dhe janë hutuar nga propaganda e Qeverisë Rama, ose si Rama janë duke bërë lojën e Greqisë”, thekson kjo lëvizje.

Sipas Vetëvendosjes, Qeveria Rama e ka pranuar zgjerimin e Greqisë në kurriz të detit territorial dhe Zonës Ekskluzive Ekonomike detare të Shqipërisë dhe ka hequr dorë nga e drejta e shtetit shqiptar për të mbrojtur me ligj ndërkombëtar integritetin territorial të Shqipërisë. “Duke pranuar që çështja të shtrohet në Hagë, Qeveria Rama pamundëson kontestimin e shtetit shqiptar për këtë zgjerim nga 6 në 12 md, sepse pala greke, siç ka bërë të ditur tashmë publikisht, nuk do ta lejonte këtë kontestim në Hgë”, thotë VV.

Sipas saj, Shqipëria duhet të tërhiqet menjëherë nga çdo marrëveshje e fshehtë, e miratuar në parim ose jo, me Greqinë dhe duhet të dorëzojë në nivel politik bilateral një notë protestë ndaj ekspansionit grabitqar të Greqisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë