Politike

Vuçiç-Thaçi, beteja për ujin

Aleksandër Vuçiç e nisi vizitën e tij në veriun e Kosovës ashtu siç këmbënguli; me një ndalesë në Liqenin e Ujmanit, që për serbët njihet si Gazivoda. Qindra qytetarë vendas kishin dalë ta prisnin.

Presidenti serb hyri në Kosovë pak minuta pas orës 14:00 dhe fjalët e para ishin pikërisht për Liqenin e Ujmanit.

“Jam i lumtur që ndodhem këtu sot. Ndjehem shkëlqyeshëm. Këto janë objekte të ndërtuara me paratë e qytetarëve të Serbisë dhe do të përdoren nga qytetarët e Serbisë dhe të këtij rajoni këtu”, tha ai.

Të premten, në një konferencë të jashtëzakonshme për mediat të mbajtur në orën 21:00, ai iu drejtua qytetarëve. Foli, siç tha, për vështirësitë në dialogun me Prishtinën dhe u ndal edhe tek liqeni që vizitoi këtë të shtunë.

“E konsiderojmë resurs serb, por edhe të shqiptarëve dhe kemi ofruar shumë kompromis, sepse e dimë se uji u duhet edhe shqiptarëve”, tha ai.

Mes rreshtave dhe komenteve që bëri përjashtoi mundësinë që dialogu me Kosovën të ndërpritet, ashtu siç spekulonin një ditë më parë mediat serbe.

“Duam të ndërtojmë më shumë besim mes serbëve dhe shqiptarëve. Ky është një proces i vështirë, i cili do të ishte katastrofik nëse do të ndalej, edhe për shqiptarët, edhe për serbët”, deklaroi ai.

Vizita në këtë ujëmbledhës ishte edhe molla e sherrit mes Beogradit dhe Prishtinës dhe shkaku kryesor i vendimit të Vuçiçit për të mos u takuar me Thaçin në Bruksel ditën e premte.

Vendimin e Vuçiç e bëri publik shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç. Arsyet e refuzimit për t’u takuar, sipas Gjuriç, janë gjuha dhe kërcënimet e mbërritura nga Prishtina për vizitën e Aleksandër Vuçiç në veri të Kosovës. Ai nuk përmendi emra, por dukshëm reagimi i referohej deklaratës së kreut të Kuvendit, Kadri Veseli.

“Nuk e di nëse Vuçiç do të vijë në Kosovë. Ne e kemi dhënë lejen, por nëse kërcënohet stabiliteti i Kosovës leje mund të anulohet. Së dyti, nuk ka nevojë Vuçiç të shkojë në Liqenin e Ujmanit”, deklaroi gjatë të enjtes ai.

Me hir a me pahir leje u dha dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli e konfirmoi se Prishtina ishte tërhequr nga vendimi për të mos përfshirë në agjendën e Vuçiçit këtë vizitë pas presionit të Bashkimit Europian.

Në këtë vizitë ai shoqërohet nga shefi i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, ministri i Shëndetësisë në qeverinë serbe dhe shefi i shërbimeve inteligjente të Beogradit.

Vuçiç e përmbyll vizitën e tij ditën të dielën, me një fjalim në sheshin qendror të Mitrovicës së Veriut, ku me interes mbetet mesazhi që do të përcjellë, sidomos në këtë periudhë diskutimi për ndryshime kufijsh dhe shkëmbimi territoresh mes dy vendeve.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë