Politike

Vuçiç: Nuk i njoh kufijtë e Kosovës!

Ndërkohë që Kosova duket se vlon nga diskutimet për heqjen e tarifave ndaj produkteve serbe dhe përfshirjen e shkëmbimeve territorial në dialogun me Beogradin, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka bërë të enjten një nga deklaratat më të më kontroverse të presidencës së tij.
Ai deklaroi se ndryshe nga paraardhësit, nuk i njeh kufijtë e një Kosove të pavarur, duke thënë madje se kjo gjë e bën ndryshe nga politikanët e tjerë serb.

‘Nuk i njoh kufijtë e një shteti të pavarur të Kosovës, siç bënë paraardhësit e mi. Këto janë politika të ndryshme, por politika jonë nuk është një politikë e papërgjegjshmërisë', dekalaroi Vuçiç gjatë një vizite në Vranjë.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç

Por deklaratat e tij kanë sjellë edhe një reagim të ashpër nga qeveria e kryeministrit Haradinaj, i cili e akuzoi presidentin serb se po cenonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Prishtina zyrtare i cilësoi këto deklarata si "kërcënuese, agresive dhe luftënxitëse".
“Qeveria e Republikës së Kosovës beson se këto deklarata janë edhe një sulm i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, që rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, rajon dhe më gjerë”, thuhet në deklaratën zyrtare. “Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se do të ndërmarrë të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore, me qëllim të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit, 2008, dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thekson ajo.
Por edhe pse Haradinaj duket i bindur për mos përfshirjen e shkëmbimeve territoriale në tavolinën e bisedimeve, presidenti Hashim Thaci ka paralajmëruar nga Uashingtoni se kufijtë do të jenë pjesë e negociatave.

Ramush Haradinaj

Thaçi ka deklaruar gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara se në Uashington të gjithë “flasin me një zë për Kosovën. “Jemi të bekuar që kemi mbështetjen e SHBA-së për zhvillimin e vendit tonë dhe ndajmë së bashku të njëjtat vlera e synime”, ka thënë Thaçi në një postim në Facebook.

Sipas Thaçit një nga pikat e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqen mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë edhe përcaktimi i kufirit në mes dy vendeve.
“Një nga pikat do të jetë edhe përcaktimi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh presidenti Thaçi për mediat, duke shtuar, se kjo është mundësi për të korrigjuar kufirin edhe në veri të Kosovës, edhe në jug të Serbisë.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe Hashim Thaci

Ai tha se mbështetja e Shteteve të Bashkuara për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është vitale për Kosovën.

“Nuk do të pranojmë një marrëveshje që nuk është e pranueshme edhe për Uashingtonin”, tha presidenti Thaçi gjatë një bashkëbisedimi në “Council on Foreign Relations” në New York.
Edhe pse homologu i tij serb po mban një qendrim agresiv, Thaçi tha se marrëveshja gjithëpërfshirëse e paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë do të përfshijë kufijtë dhe se do të sjellë paqe në Kosovë dhe rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë