Ne rrjet

Valë protestash në Serbi/ Vuçiç: Një vend i rëndësishëm ndërhyri në mënyrë brutale në zgjedhje

Nga Gazeta 'Si' - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi se autoritetet shtetërore po hartojnë “një letër të rëndësishme për ndikimin dhe ndërhyrjen e një vendi të rëndësishëm në procesin zgjedhor të Serbisë në mënyrën më brutale”, ndërkohë që vendi është përfshirë nga një valë protestash që zhvillohen çdo natë para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në këto protesta opozita dhe qytetarët po kërkojnë rivotime të paktën për Beogradin. Kjo vjen pas dyshimeve se zgjedhjet u vodhën nga partia e presidentit, Aleksandar Vuçiç. Kritika të forta janë bërë gjithashtu edhe nga vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilët shprehën shqetësim për cenimin e demokracisë në vend. Në shenjë revolte, dy ish-deputetë të Kuvendit të Serbisë janë në grevë urie për ditë të tëra në godinën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Beograd.

Ndërkaq Vuçiç nuk specifikoi se cilit shtet po i referohej kur akuzoi për ndërhyrje.

“Do të kryhet deri në Vitin e Ri dhe më pas do ta dërgojmë në mbarë botën që të shihet se si bëhet një ndërhyrje e tillë në procese që i përkasin një vendi të pavarur sovran”, tha Vuçiç këtë të enjte (21 dhjetor).

Vuçiç tha, po ashtu, se zgjedhjet e mbajtura më 17 dhjetor “ishin më të pastrat dhe më të drejtat deri më tani”. Fundjavën e kaluar Serbia mbajti zgjedhje parlamentare, provincale dhe lokale.

Koalicioni më i madh opozitar "Serbia kundër dhunës" nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve dhe kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke pretenduar se fitorja e Partisë Progresive Serbe (SNS) është rezultat i vjedhjes së votave.

Një ekip vëzhgues ndërkombëtar i përbërë nga anëtarë të Misionit të OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, Parlamentit Evropian, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, vuri në dukje "parregullsi serioze" gjatë zgjedhjeve në Serbi.

Më 18 dhjetor, ata deklaruan se ato zgjedhje u shënuan, ndër të tjera, nga keqpërdorimi i fondeve publike, dominimi mediatik i presidentit Aleksandar Vuçiç, një fushatë negative dhe përhapja e frikës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë