Ne rrjet

Vuçiç: Një fuqi europiane urdhëroi taksën ndaj Serbisë për të ndalur ndarjen e Kosovës

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç ka zbuluar sot detaje të tjera nga ideja (e zmbrapsur tashmë) e trajtuar në distancë mes tij dhe presidentit Hashim Thaçi, për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.

Sipas presidentit serb, sipas këtij kompromisi planifikohej që Serbia të merrte pjesën e Veriut të Kosovës dhe Anamoravën, ndërkohë që Kosova duket se do të merrte Luginën e Preshevës.

Në një intervistë televizive ai zbuloi se kjo marrëveshje nuk ishte çuar deri në fund për shkak të ndërhyrjes së një vendi të madh dhe të fuqishëm europian.

Ky vend, sipas tij, i ka kërkuar Prishtinës të vendosë tarifat ndaj mallrave serbe, me qëllim që të detyrojë Serbinë të tërhiqet nga dialogu, i cili në atë moment ishte duke arritur një zgjidhje kompromisi.
“Një shans për demarkacionin ka humbur dhe sulmet ndaj Serbisë do të vazhdojnë të jenë të ashpra," tha presidenti serb të hënën në një intervistë me mediat serbe.

Vuçiç zbuloi se tarifat ishin futur me mbështetjen e një force perëndimore në mënyrë që Serbia të mos jetë në gjendje të marrë Veriun e Kosovës.

https://www.youtube.com/watch?v=fVa-Wlc39Us&feature=emb_logo

"Amerikanët janë rebeluar më shumë se europianët dhe unë e dija gjatë gjithë kohës, është e pamundur që shqiptarët të vendosnin taksën pa mbështetjen e dikujt. Sigurisht, shqiptarët kishin mbështetjen e një force të madhe europiane, në mënyrë që Serbia të tërhiqej nga dialogu për të rrëzuar çdo plan në të cilin Serbia merrte dicka në shkëmbim," tha ai.

Presidenti i Serbisë u shpreh se e kishte kuptuar me vonesë që Ramush Haradinaj nuk e kishte vendosur taksën vetë dhe se dikush nga ndërkombëtarët ishte i përfshirë.

"E kuptova më vonë. Tani di gjithçka. Tani e di kush u tha për taksën. Sigurisht, një forcë e huaj e rëndësishme dhe e fuqishme," tha Vuçiç.

"Pra cili është qëllimi i taksës? Tani do të fillojnë të na akuzojnë nga Europa se ne nuk kemi përmbushur marrëveshje të caktuara energjetike. E kuptova se për cilin vend bëhej fjalë pasi kam kuptuar se për çfarë bëhet fjalë, sepse vendi që kërkoi vendosjen e taksës këmbënguli në përmbushjen e marrëveshjes së energjisë. Këtij vendi nuk i intereson Asosacioni i Komunitetit të Komunave Serbe," tha Vuçiç.

Për presidentin serb, marrëveshja e serbëve dhe shqiptarëve si dy kombet më të mëdha në Ballkan, "sjell 100 vjet paqe dhe siguri dhe një të ardhme të re për fëmijët tanë".
Ai u shpreh gjatë intervistës se pas humbjes së një mundësie të tillë, nuk do të marrë përgjegjësitë në rast se ndodh ndonjë "katastrofë" në të ardhmen.

Presidenti serb Aleksander Vuçiç dhe presidenti Hashim Thaci, Gazeta Si, 2020

Deklaratat e presidentit serb kanë nxitur aludime të shumta se cila mund të ketë qenë fuqia europiane që e nxiti kryeministrin Haradinaj për vendosjen e taksës, një lëvizje që është kundërshtuar ashpër nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një dokument konfidencial tregonte një vit më parë se liderët e SHBA-ve dhe të Bashkimit Europian kishin mbështetur planin që Kosova dhe Serbia të rindërtonin rrugëtimin e kufijve të tyre të përbashkët përgjatë vijave etnike, duke izoluar Gjermaninë, fuqinë më influente të kontinentit, në refuzimin e kësaj qasjeje.

Një memo e hershme nga shërbimet e jashtme të BE-së, unioni shpreh mbështetjen për shkëmbimin e territoreve, të mbështetur gjithashtu nga administrata e Presidentit Donald Trump.

Madje gjatë Samitit të Berlinit, Merkel mësohet se i bëri presion presidentit serb Aleksandër Vuçiç të tërhiqej nga ideja për shkëmbimin e Veriut të Kosovës. Teza Thaçi-Vuçiç për shkëmbimin e territoreve mes dy vendeve duket se ka “trokitur” fillimisht në Uashington, ku Shtëpia e Bardhë është shprehur e hapur për çfarëdolloj zgjidhjeje që do të pranohej nga të dyja palët.

E vetmja që qëndroi e palëkundur, nga ana tjetër e “murit të rezistencës” për mbrojtjen e kufijve të Kosovës, ishte kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila këmbënguli se “kufijtë janë të shenjtë.”

Kancelarja Merkel ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se është kundër ndryshimit të kufijve, një rregull të cilin ajo e ka konsideruar madje si “të pacenueshëm”; qëi nuk duhet thyer për asgjë dhe askënd. “Integriteti territorial i shteteve të Ballkanit Perëndimor është krijuar kohë më parë dhe është i paprekshëm", deklaroi kancelarja gjermane në atë kohë.

Haradinaj dhe Merkel, Gazeta Si,

"Kjo duhet të përsëritet vazhdimisht derisa të marrin fund të gjitha përpjekjet për ndryshimin e kufijve".

Burime diplomatike konfirmuan në atë kohë për mediat në Prishtinë se kancelarja gjermane po merrej personalisht me çështjen e Kosovës.  Në mars të vitit të kaluar brenda tri ditësh Kosova është vizituar nga dy delegacione me përfaqësues të lartë politikë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Gjermania. Por edhe pse detajet e këtyre takimeve janë mbajtur larg syve të publikut, Berlini zyrtar mësohet se ka kërkuar që kufijtë mos te jenë pjesë e bisedimeve Kosovë-Serbi.

Si Haradinaj ashtu edhe, Angela Merkel janë pozicionuar kundër çdo skenari që përfshinte ndryshimin e kufijve të Kosovës, duke paralajmëruar se kjo do të çonte jo vetëm në cënimin e sovranitetit të Kosovës, por edhe në një efekt domino në Ballkan.

SHBA dhe BE-ja kanë ecur gjithnjë krah për krahu në Ballkanin Perëndimor, sidomos pas intervenimit të NATO-s për t’i dhënë fund luftërave të viteve 1999. Por kancelarja doli kundër shkëbimit të territoreve, duke thënë se një marrëveshje për shkëmbimin e territoreve do të krijonin një precedent dhe të çonte në negociata të ngjashme në vende të tjera në Ballkan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë