Politike

Vuçiç lëvdon Thaçin dhe më pas diskuton kufijtë

Forumin Europian “Alpbach” në Austri, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç e shfrytëzoi për të adresuar një “kompliment”, më shumë ironik se sa të vërtetë ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Hashim Thaçi është një politikan më i mirë se unë. Është një politikan më i zgjuar se unë”, citohet nga mediat serbe, Vuçiç.

Deklarata u përgjigjej pyetjeve të bëra nga mediat mbi ecurinë dhe detajet e negociatave. Vuçiç thotë se ndryshe nga Thaçi, ai vetë refuzon që të flasë për detajet e procesit të negocimeve.

Në Forum, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Kosova është e vendosur që të arrijë një marrëveshje ndërkombëtare, ligjërisht të obligueshme me Serbinë. Sipas tij, tani është koha që të arrihet një marrëveshje e tillë, por shtoi se për këtë qëllim nevojitet ndihma e të gjitha palëve të përfshira. Thaçi foli edhe për idenë e korrigjimit të kufijve me Serbinë.

“Ne jemi të vendosur të shqyrtojmë çdo opsion, duke përfshirë edhe korrigjimin e kufijve në mënyrë që të arrijmë një marrëveshje”, tha Thaçi.

Sipas Presidentit të Kosovës, vendet e rajonit nuk duhet të kenë frikë nga korrigjimi i kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

Idenë e Thaçit e mbështeti edhe Vuçiç. Ai thotë se ka kundërshtarë plot për këtë temë, por shton se gjërat duhet të ecin përpara dhe të arrihet një zgjidhje përfundimtare mes shqiptarëve dhe serbëve.

“Unë nuk e dua Thaçin, por ne duhet të flasim me njëri-tjetrin. Ne duhet të mundohemi t’i zgjidhim problemet që janë duke zgjatur jo që dy vjet, jo që 20 vjet, po që 200 vjet. Askush nuk e di ku janë kufijtë tanë sot”, deklaroi ai.

Organizatori i këtij forumi, Presidenti i Austrisë, Alexander Van der Bellen u ka kërkuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, që të arrijnë marrëveshje brenda këtij viti.

Van der Bellen e lidh këtë afat kohor me zgjedhjet e reja për Parlamentin Europian, që nisin në pranverën e vitit të ardhshëm dhe që zhvendosin vëmendjen nga agjenda e bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit.

Austria mban Presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Europian.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë