Analize

Vuçiç i kërkon zgjidhje për Kosovën “vëllait rus”

"Situata në Ballkanin Perëndimor është shumë komplekse dhe pavarësisht aspiratave tona për të arritur një kompromis dhe për të ruajtur paqen dhe stabilitetin, jemi larg nga çdo zgjidhjeje për çështjen e Kosovës”. Kjo ishte deklarata  e parë e presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Moskë, ditën e sotme.

Ndërkohë që Ballkani vlon mes përpjekjeve për ndryshime kufijsh e emrash, kreu serb ka takuar mentorin e tij politik, presidentin Vladimir Putin. Vuçiç u ankua gjatë takimit me udhëheqësin rus, se Beogradi po përballet me “provokime të shumta”. Ai gjithashtu falenderoi Putin për "mbrojtjen e të drejtës ndërkombëtare dhe interesave vitale kombëtare dhe shtetërore të Serbisë".

Sapo zbriti në Moskë, i shoqëruar nga një sërë gazetarësh serbë dhe rusë, Vuçiç tha se do t’i kërkojë Putin "mbështetje konkrete politike”, duke sinjalizuar ndër të tjera se Kosova do të ishte pjesë e agjendës së bisedimeve me “vëllain” e tij të madh në Rusi.

“Situata me Kosovën do të jetë prioritet në bisedimet me Putinin, tha Vuçiçi për gazetarët. "Ne do ta informojmë Putin për zhvillimet e fundit dhe kërkojmë mbështetjen e tij në të gjitha forumet ndërkombëtare. Padyshim që do t'i kërkojmë atij këshilla. "

Vizita në Rusi vjen ndërkohë që Vuçiç po kërkon mbështetje të gjerë ndërkombëtare nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja për shkëmbime territoriale me Kosovën. Propozimi i Vuçiçit dhe presidentit Hashim Thaçi sugjeron që Kosova dhe Serbia të shkëmbejnë Luginën e Preshevës me Veriun e Mitrovicës. Kjo ide u kundërshtua ashpër nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe nga krerët e tjerë të BE-së, mes frikës se mund të ndezë edhe njëherë tensionet që çuan në konfliktin më të përgjakshëm të Europës që nga Lufta e Dytë Botërore. Por deri më tani, Rusia ka deklaruar se do të mbështesë çdo zgjidhje që nuk shkon kundër interesave të saj gjeopoltike në Serbi.


Aleksander Vuçiç dhe Vladimir Putin takohen në Moskë

Takimi Vuçiç-Putin vjen pasi qindra protestues marshuan në Prishtinë gjatë fundjavës, duke kundërshtuar çdo plan për ndarjen e Kosovës, ndërkohë që Presidenti Hashim Thaçi vizitoi liqenin e Ujmanit duke bërë që Serbia të vinte në gadishmëri luftarake, ushtrinë e saj. Në një konferencë shtypi atë ditë, Presidenti Vuçiç paralajmëroi se Serbia nuk do të lejojë dhunën kundër pakicës serbe në Kosovë. I pyetur nëse ai do të kërkonte ndihmën e Rusisë si Presidenti sirian Bashar Assad, Vuçiç u përgjigj se do të t’i kërkonte Presidentit Putin këshilla, por jo ndihmë ushtarake. Këtë muaj, Moska do të dërgojë në Beograd qindra biznesmenë dhe zyrtarë qeveritarë për takime të rëndësishme që do të përcaktojnë planet e investimeve ruse në Serbi për vitet e ardhshme. Rusia është përpjekur prej kohësh të bllokojë zgjerimin e NATO-s dhe BE-së në Ballkan. Ndërkohë që Kroacia dhe Sllovenia janë bashkuar me BE-në dhe NATO, Serbia, Kosova dhe Bosnja u lanë në harresë nga Perëndimi, duke u bërë gjithnjë e më të brishta përballë ndikimit të Rusisë dhe Kinës.

Takimi i 13-të i Vuçiç me Putinin në gjashtë vjet vjen gjithashtu ndërkohë që Serbia po përgatitet për stërvitje të përbashkëta ajrore me Rusinë, pak përpara ushtrimeve me NATO-, të planifikuara po  këtë muaj. Por gjatë vizitës në Moskë, Vuçic theksoi se Serbia do të mbajë neutralitetin ushtarak. Popullariteti i Putinit në mesin e 7.2 milion qytetarëve të Serbisë është i pakapshëm, ai është politikani i huaj më i besuar duke tejkaluar mbështetjen për Merkel dhe Donald Trump.

Gjatë takimit, Vuçiç dhe Putin komentuan gjithashtu rezultatet e referendumit të emrit në Maqedoni dhe pas pjesëmarrjen e ulët. Vuçiç deklaroi se BE dhe NATO duhet të "tregojnë më shumë respekt për vendet e vogla dhe të përpiqen të kuptojnë se çfarë po ndodh brenda tyre. Sipas tij, se demokracia, kushtetuta dhe ligjet duhet të respektohen edhe kur "nuk ju pëlqen vendimi i njerëzve".  Tema e referendumit në Maqedoni, është një pikë e nxehtë për Moskën, e cila është akuzuar se ka ndërhyrë për të penguar arritjen e një marrëveshjeje mes Shkupit dhe Athinës.


Aleksander Vuçiç dhe Vladimir Putin takohen në Moskë

Vuçiç e ka ulur Putinin si aleatin kryesor në tavolinën e tij, ndërkohë që po mundohet të ruajnë ekuilibrin mes miqësisë me Rusisë dhe aleancës me BE-në. Por ndryshe nga Perëndimi, Rusia është aleatja më e vyer e Serbisë për mosnjohjen e Kosovës. Vladimir Putin ka akuzuar vazhdimisht Europën dhe Shtetet e Bashkuara për standarde të dyfishta, duke përmendur të gjitha rajonet separatiste që kërkojnë pavarësinë dhe duke e konsideruar pavarësinë e Kosovës si “të paligjshme dhe imorale”.

Në shtator, ministri i Jashtëm serb përjashtoi mundësinë që Beogradi të nënshkruajë një marrëveshje përfundimtare me Prishtinën pa marrë më parë miratimin e Moskës.

“Rusia ka qenë, mbetet dhe do të vazhdojë të jetë partneri ynë strategjik. Ne nuk mund të mbrojmë veten dhe as interesat tona pa ndihmën e Rusisë, ndaj do të flasim me ta për çdo rast dhe çdo vendim”, deklaroi Ivica Daçiç për mediat serbe.

Rusia kundër Kosovës

Dy muaj më parë, ambasadori rus në Serbi ka njoftuar se vendi i tij do të përfshihet edhe më thellë në zgjidhjen e “problemit” të Kosovës. Në një opinion të pashembullt, në gazetën serbe “Politika”, Aleksandër Chepurin shkruante ndër të tjera se “Krimeja është Rusi dhe se Kosova është Serbi!”

Shkrimi, i publikuar me rastin e Ditës së Rusisë, sinjalizonte edhe njëherë se edhe pse kanë kaluar 10 vite, Rusia nuk do ta pranojë kurrë pavarësinë e shtetit të Kosovës, ashtu siç Moska nuk arriti ta pranonte kurrë Krimenë si pjesë të Ukrainës. Madje sipas ambasadorit Chepurin, Beogradi përballet me “presion ultimatum nga armiqtë tradicionalë serbë” sa herë që bie fjala për Kosovën. Por ai thekson se Rusia ka qenë dhe do të jetë gjithnjë në anën e Serbisë.

Aleksandër Chepurin dhe presidenti  Vuçiç 

“Pozicioni ynë mbetet i pandryshuar, ne do të mbështesim çdo vendim që Serbia dhe populli serb do ta konsiderojnë të pranueshme për veten e tyre”, shkuante ndër të tjera ambasadori rus. Ai vuri në dukje se janë duke u hequr një sërë paralelesh midis Kosovës dhe Krimesë, por sipas tij të dyja vendet kanë histori krejtësisht të ndryshme, pasi Krimeja u nda nga Ukraina në përputhje me Deklaratën e OKB-së të vitit 1970.”

“Çështja e Krimesë është e mbyllur në mënyrë përfundimtare. Krimeja është Rusi dhe Kosova është Serbi. Nuk është thjesh një slogan, është një realitet ligjor që duhet respektuar”, shkruante Chepurin.

Vetëm pak muaj më parë, Presidenti Putin bëri një tjetër paralelizëm të ngjashëm midis Kosovës dhe Katalonjës, duke akuzuar Bashkimin Europian për standarte të dyfishta pasi aprovoi pavarësinë e Prishtinës, por nuk njihte shkëputjen e rajonit spanjoll. Sipas ekspertëve perëndimorë, pavarësia e Kosovës ishte një humbje e madhe shpirtërore si për Serbinë, ashtu edhe për Rusinë, e cila u detyrua të pranonte një rezolutë paqeruajtëse, pas sulmeve ajrore amerikane, pavarësisht lidhjeve të Moskës me Beogradin dhe interesave ruse në Ballkan. Ky hap pasqyroi dobësinë ushtarake, ekonomike dhe diplomatike të Rusisë pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik.

Ekspertët shprehen se humbja më e madhe e Rusisë do të ishte normalizimi i marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe anëtarësimi i rajonit në BE. Arritja e një kompromisi jo vetëm që do të lejonte serbët dhe shqiptarët të fillonin të shëronin plagët e vjetra, por gjithashtu do të hapte rrugën bashkëpunimit ndërmjet Serbisë, Kosovës dhe Shqipërisë, i cili nuk është parë që nga Mesjeta. Arritja e një marrëveshjeje mes Beogradit dhe Prishtinës do të zvogëlonte varësinë e Serbisë nga Rusia, duke sjellë kështu edhe dobësimin e ndikimit rus në rajon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë