Kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Kosovës Hashim Thaci janë takuar ditën e sotme në Gjenevë, me zyrtarë të lartë nga Ballkani dhe Europa Qendrore, në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) për të diskutuar për integrimin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Forumi ka bërë bashkë si rrallëherë Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministren e Serbisë, Ana Brnabiç. Dy liderët janë ulur rreth të njëjtës tryezë, pak pas tensioneve që solli vizita e Thaçit në liqenin e Ujmanit. Gjatë vizitës se kreut të Kosovës në liqen, Aleksandër Vuçiç dha urdhër që ushtria e Serbisë të vihet në gjendje gatishmërie për luftë. Këto tensione u shtuan edhe më shumë kur Thaçi deklaroi se nuk do t’i marrë leje Beogradit për të vizituar një trevë të vendit të tij.
Takimi mes dy liderëve vjen ndërkohë që Thaçi po përballet me protesta të mëdha popullore për shkak të propozimit të tij për të “korrigjuar” kufijtë për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Teza për shkëmbimin e territoreve ngjalli reagime të ashpra brenda Kosovës, duke bërë që mijëra qytetarë të protestonin të dielën kundër Thaçit. Ndërkohë në Serbi, Vuçiç duket se ia ka lënë stafen e mbarëvajtjes së marrëdhënieve me Kosovën kryeministres Brnabiç.

Pjesëmarrës në forumin e mbajtur në Gjeneve janë po ashtu edhe Presidenti slloven, Borut Pahor, kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe ai kroat, Andrej Plenkoviç, zëvendës kryeministri i Malit të Zi Zoran Pazin, ministri i jashtëm maqedonas Nikola Dimitrov dhe ministrja bullgare Lilyana Pavlova. Përveç liderve nga Ballkani, në takim janë po ashtu të pranishëm edhe ministrat e jashtëm të Turqisë dhe Sllovakisë, si dhe ministrja gjermane e mbrojtjes Ursula von der Leyen.
Forumi Ekonomik Botëror shpreson që pjesëmarrësit të arrijnë një marrëveshje kuadër për bashkëpunimin e vazhdueshëm.
Përse po mbahet takimi?
Forumi ekonomik për Ballkanit dhe Europën Qendrore vjen në kuadër të Dialogut Strategjik mbi Ballkanin Perëndimor, i cili filloi në janar në samitin e Davos. Por çfarë shpresojmë të arrijmë zyrtarët europianë nëpërmjet këtij takimi?

Objektivi mbizotërues i takimit sipas organizatorëve, është që të ndihmojë gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor; Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën, Maqedoninë, Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë, të adresojnë sfidat e përbashkëta me të cilat përballen. Ato përfshijnë rritjen ekonomike, përmirësimin e infrastrukturës, funksionimin e tregjeve dhe tërheqjen e investitorëve.
Sipas indeksit global të konkurrencës për vitin 2018, Shqipëria është vendi më konkurruese për lirinë ekonomnike, e ndjekur nga Mali i Zi dhe Serbia. Sipas zyrtarëve europianë, aspiratat e Ballkanit Perëndimor për t’u bashkuar me Bashkimin Europian varen më së shumti nga aftësia për t’i çuar nivelet e rritjes ekonomike dhe nivelet e konkurrencës më afër normës europiane. Takimi i kësaj jave është organizuar për rindezur frymën e bashkëpunimit midis gjashtë ekonomive dhe për formimin e një strategjie të re rajonale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.