Bota

Vritet një fëmijë palestinezo-amerikan në Çikago. Vrasësi 71-vjeçar: Ju myslimanët duhet të vdisni!

Gazeta Si - Një djalë gjashtë vjeçar u godit me thikë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkak se ishte mysliman.

Personi që e masakroi, një 71-vjeçar, u arrestua dhe u akuzua për vrasje dhe krime të urrejtjes në Plainfield, Illinois, rreth 60 km larg Çikagos.

E plagosur rëndë ka mbetur edhe nëna e fëmijës, një 32-vjeçare. Sipas mediave amerikane, vrasësi veproi, sepse të dy ishin myslimanë edhe në sfondin e konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit, raporton zyra e sherifit.

Në pranga përfundoi Joseph M Czuba, pronar i shtëpisë ku jetonin viktimat. Autoritetet nuk i kanë publikuar emrat e tyre, por Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike në Çikago thotë se ata janë palestinezo-amerikanë.

Kjo e fundit publikoi edhe detajet e viktimave: Wadea Al-Fayoume dhe nënën e tij Hanaan Shahin. "Hetuesit ishin në gjendje të përcaktojnë se të dy viktimat e këtij sulmi brutal ishin në shënjestër të të dyshuarit për shkak të myslimanizmit dhe konfliktit të vazhdueshëm në Lindjen e Mesme që përfshin Hamasin dhe izraelitët", raportoi Zyra e Sherifit të Kontesë Will.

"Joseph Czuba nuk bëri asnjë deklaratë për hetuesit në lidhje me përfshirjen e tij në këtë sulm të urryer. Pavarësisht kësaj, personeli ishte në gjendje të mblidhte informacion të mjaftueshëm përmes intervistave dhe provave për të akuzuar zyrtarisht Joseph Czuba për vepra të shumta penale".

Nga spitali gruaja i shkruante me mesazh babait të fëmijës, se i zoti i shtëpisë ishte plot zemërim me lajmet që kishte parë në TV, sipas asaj që u raportua në media nga "Këshilli për Marrëdhëniet Islamike Amerikane".

Burri dyshohet se trokiti në derë dhe, kur ajo e hapi, e kapi për qafe dhe e sulmoi me thikë, duke bërtitur: "Ju muslimanët duhet të vdisni".

Ajo dyshohet se vrapoi në banjë me celularin e saj për të thirrur policinë dhe kur doli, zbuloi se burri kishte vrarë fëmijën. "Kjo ndodhi në pak sekonda", tha gruaja, sipas asaj që u komunikua nga organizata.

Presidenti Joe Biden dërgoi një deklaratë brenda natës: “Jill dhe unë jemi të tronditur dhe të tmerruar nga vrasja brutale e një djali 6-vjeçar dhe tentativa për vrasjen e nënës së tij. Djali i një familjeje palestinezo-amerikane që erdhi në Amerikë për të kërkuar gjithçka që ne të gjithë kërkojmë: një strehë për të jetuar, mësuar dhe lutur në paqe. Si amerikanë, ne duhet të bashkohemi dhe të refuzojmë islamofobinë dhe të gjitha format e intolerancës dhe urrejtjes”.

Në vendngjarje, oficerët e gjetën të dyshuarin 71-vjeçar të ulur në tokë pranë rrugës së shtëpisë dhe brenda tyre gjetën fëmijën dhe gruan, secili me më shumë se dhjetëra plagë me thikë në gjoks, fytyrë dhe krahë.

Fëmija u transportua në spitalin lokal ku u deklarua i vdekur, nëna ndodhet në spital në gjendje të rëndë, me shpresa për të mbijetuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë