Gazeta Si – Konfliktet e dyshuara për çështje pronësie kanë shkaktuar një ngjarje kriminale në Sarandë, ku ka mbetur i vrarë me armë zjarri biznesmeni 66-vjeçar Rexhep Ismaili.
Nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një tjetër person i paidentifikuar, ndërsa policia ka shpallur në kërkim autorin e dyshuar, Lulzim Tabaku. Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e të enjtes në fshatin Gjashtë, në dalje të qytetit të Sarandës.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 në lokalin e karburantit “Vëllezërit Ismaili sh.p.k”, në pronësi të viktimës, i cili ishte dhe kryetar i shoqatës “Çamëria” dega Sarandë.
Ai ndodhej i ulur në tavolinë me persona të tjerë, kur autori i armatosur ka hyrë në lokal dhe ka hapur zjarr në drejtim të tij, duke e goditur me një plumb në kokë.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se personat që ndodheshin me 66-vjeçarin i janë kundërpërgjigjur autorit, ndërsa ky i fundit ka arritur të largohet menjëherë pas ngjarjes.
Në reagimin zyrtar, policia sqaron se konflikti fillimisht ka nisur me sende të forta dhe më pas ka degraduar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se autor i vrasjes është shtetasi Lulëzim Tabaku, i cili pas ngjarjes është larguar së bashku me persona të tjerë të përfshirë në konflikt.
Policia dyshon gjithashtu se gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, i cili ende nuk është paraqitur në spital dhe nuk është identifikuar. Raportohet se sherri në të cilin mbeti i vrarë 66-vjeçari Ismaili, nuk e përfshinte drejtpërdrejt viktimën.
Sipas burimeve, gjatë mbrëmjes të së enjtes në lokal kanë shkuar të paktën 10 persona që kanë patur konflikt me dikë që ka qenë në lokal dhe kanë dashur ta rrëmbejnë, ku dyshohet se bëhet fjalë për një konflikt pronësie.
Rexhep Ismaili u ka thënë “djali është në shtëpinë tonë dhe nuk e prekni dot këtu” dhe më pas situata ka degraduar. Në vendngjarje ka mbetur një automjet i autorëve.
Forca të shumta policie kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit, ndërsa kontrolle po kryhen edhe në spitale dhe klinika private për identifikimin e personit të plagosur.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa hetimet mbeten në zhvillim
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje