Futboll

Vrioni në histori / Lojtari i parë që ka luajtur në Serie A, B dhe C brenda një sezoni

Pak më shumë se 10 minuta në fushë me fanellën e Juventusit. Xhakomo Vrioni, sulmuesi i Kombëtares, debutoi me ekipin e parë të Juventusit në ndeshjen ndaj Romës, ku kampionët e Italisë humbën 1-3. Sulmuesi shqiptar zuri vendin e Ganzalo Higuainit në minutën e 79-të të ndeshjes.

Por debutimi me ekipin e parë, nuk ishte surpriza e vetme për Xhakomo Vrionin. Sulmuesi në fillim të sezonit ishte në pronësi të Sampdorias, ku u huazua në Serie B te Cittadella, duke u aktivizuar katër herë. Gjatë merkatos së dimrit, erdhi interesimi i Juventusit dhe u transferua në Torino, në këmbim të tre talenteve, që kaluan te Sampdoria. Vrioni fillimisht u regjistrua te Juventus U23, ku arriti të luajë tre ndeshje në Serie C dhe të gjejë një herë rrugën e rrjetës, në ndeshjen ndaj Carrarese. Prej disa ndeshjesh Vrioni u grumbullua nga trajneri Mauricio Sarri, ku më në fund erdhi edhe momenti i tij.

Me debutimin në javën e fundit, 21-vjeçari bëhet lojtari i parë që aktivizohet në tre kategoritë italiane, Serie A, B dhe C brenda një sezoni të vetëm. Një rast unik, sepse sipas rregullores nga FIFA, një lojtar nuk mund të luajë me më shumë se dy klube gjate një sezoni, por duke qenë se shqiptari fillimisht është federuar te Juventus U23, i lejohet të lëvizë midis dy ekipeve me të njëjtën pronësi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë