Drejtësia

Vrau ish-kunatën, 28 vite burg për Agron Tanushin. E ëma e viktimës: Po doli do na vrasë si Dan Hutra!

Gazeta Si - Gjykata e Apelit, ka dënuar me 28 vite burg Agron Tanushin, i cili vrau kunatën e tij me dy urdhër mbrojtje Jetmira Hasanin, duke rrëzuar vendimin e Shkallës së Parë.

Ai e vrau kunatën e tij, 34-vjeçaren Hasani për shkak të konfliktit për pronësinë e banesës ku jetonin si autori dhe viktima.

Gruaja ishte divorcuar nga vëllai i Agron Tanushit, por vazhdonte të jetonte në shtëpinë e tyre në katin e dytë.

Avokati i familjarëve të Hasanit deklaroi për mediat pas vendimit se do të bëjnë rekurs në Gjykatën e Lartë, pasi kërkojnë burg të përjetshëm për autorin.

“Në Gjykatën e Lartë do të kërkojmë të njëjtën gjë, siç shprehen familjarët deri në atë të përjetshëm. Ne kërkojmë drejtësi. Sot Gjykata e Apelit e ka prishur vendimin e Gjykatës së shkallës së Parë nga 23 vite në 28 vite. Nuk kishte asnjë koncept që të dënohej me 23 vite. Duhen akoma dhe më shumë. Duam drejtësi”, tha avokati.

Autori i ngjarjes ka qenë i pranishëm në seancë dhe i ka qëndruar thënieve të avokatit, ku kanë kërkuar që të qëndrojë në fuqi vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë, që i jepte atij vetëm 23 vite burg.

Të pranishëm në seancë ishin edhe familjarët e Hasanit. Nëna e viktimës  kërkoi dënim të përjetshëm për autorin e vrasjes së vajzës së saj.

Me lot në sy, ajo deklaroi se nëse shteti ia lë në dorë asaj, atëherë autori duhet të vritet dhe jo të dënohet me 28 vite burg.

Ajo i bëri apel shtetit që të mos përsëritet një rast si ai i Dan Hutrës, i cili  më 1 mars 2023 doli nga burgu dhe vrau tre gra brenda 1 ore në Kamzë dhe Bathore.

“Unë, po nuk u dha dënim i përjetshëm, me mua janë duke luajtur, nuk janë duke dhënë vendimin që duhet. Mua po më rastis të bëj sikur me Dan Hutrën, që një e vrau, i vrau tre të tjerë sa u lirua. S’jemi të kënaqur me këtë vendim. Me ma lënë shteti mua, unë dënimin ja jap vet.... Shteti mua nuk ma le. I përjetshëm, jo me vite dhe të më dalë nesër… se ku i dihet nuk më shan mua në rrugë të madhe e nuk po më vret mua prapë në rrugë të madhe. Me mujt, dënimin ia jap unë. Ndoshta ma jep ai se është më i zoti, ai është mësuar me vrarë”, tha ajo.

Jetmira Hasani u vra më 15 shtator të vitit 2020 në banesë. Shkak për krimin u bërë konflikti për pronësinë e banesës ku jetonin autori dhe viktima.

34-vjeçarja ishte divorcuar 4 vite më parë nga bashkëshorti i saj, vëllai i Tanushit, por vazhdonte të jetonte në shtëpinë e tyre, në katin e dytë.

Viktima pretendonte se prona i përkiste asaj dhe ky ka qenë edhe shkaku për konfliktet e vazhdueshme.

Ditën që ndodhi vrasja, viktima po përgatitej të largohej nga banesa bashkë me vajzën e saj të mitur, por në këtë moment ka lindur një tjetër konflikt me Tanushin që degjeneroi në përdorimin e armës.

Më herët, autori dhe viktima kanë paditur njëri-tjetrin në polici, ndërsa në korrik 2020, gjykata kishte lëshuar edhe një urdhër-mbrojtje për të dyja palët.

Sipas atij vendimi, Tanushi dhe Hasani duhet të mos fyenin ose kërcënonin njëri-tjetrin të paktën deri në 15 dhjetor të atij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë