Elton Metaj, i cili ekzekutoi ish-bashkëshorten e tij Sabrina Bengaj 4 ditë më parë në shtëpinë e prindërve të saj, ka shprehur pendesë gjatë seancës gjyqësore.
Ai është shoqëruar nën masa të rrepta sigurie në Gjykatën e Fierit, e cila ka dhënë masën e sigurisë “arrest në burg”. 31-vjeçari ka pranuar krimin para trupës gjykuese dhe u shfaq në gjendje të rënduar psikologjike. Ndërsa nëpërmjet avokatit të tij, ai ka përsëritur gjatë rrëfimit për ngjarjen se ishte kërcënuar nga vjehrri se do ta vriste.
Metaj ka qarë gjatë seancës, çka ka detyruar trupën gjykuese ta ndërpresë për një moment atë për ta rifilluar sërish.
Autori ka thënë se e ka kryer krimin pasi është ndjerë i kërcënuar nga vjehrri i tij, duke thënë se “më ka bërë presion dhe më ka kërcënuar”. Sipas tij, “vjehrri i ka thënë që do ta vriste”.
Ndër të tjera, ai ka thënë “që ishte i dashuruar me bashkëshorten e tij dhe donte të rikthehej me të, duke qenë se kishin dhe një fëmijë të mitur”.
Përsa i përket armës që e përdori për të kryer krimin, Metaj shpjegoi se “e ka blerë për vetëmbrojtje”. Familjarët e autorit dhe viktimës nuk kanë qenë të pranishëm në gjykatë.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e prindërve të ish-gruas së tij në Zhupan të Fierit, mbrëmjen e së premtes. Ai shkoi në shtëpinë e ish-bashkëshortes dhe e qëlloi për vdekje, ndërkohë që kjo e fundit po konsumonte darkën. Ai u neutralizua nga RENEA dhe u dorëzua pas 5 orësh negociata me policinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.