Lajme

Vrau gruan në sy të djalit, gjendet i mbytur burri në Durrës

Në orët e para të mëngjesit të sotëm është gjetur i mbytur autori i dyshuar i vrasjes së bashkëshortes së tij, Hasbije Kuka, ngjarje e ndodhur dje në Spitallë të Durrësit.
Siç njofton policia, 37-vjeçari Adriatik Kuka është gjetur i mbytur rreth orës 07:30, në Sektorin Rinia, Durrës.
Pranë vendit të ngjarjes është gjetur dhe automjeti i këtij shtetasi më të cilin dyshohet se u largua pas kryerjes së krimit. Shtetasi në fjalë dyshohet të jetë autori i vrasjes së bashkëshortes së tij ndodhur ditën e djeshme. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Ngjarja
36-vjeçarja Hasbie Kuka, nëna e djalit të mitur, u qëllua disa herë me thikë nga bashkëshorti i saj pas një sherri në banesën e tyre.
Ngjarja ndodhi rreth orës 16:20 të ditës së djeshme, në lagjen Nr. 15, Durrës, në sy të djalit 8-vjeçar.
Debatet mes Ardianit dhe Hazbies kohët e fundit kishin nisur të shtoheshin, ndërsa mesditën e djeshme degjeneruan deri në përdorimin e thikës. Në debat e sipër, ku i pranishëm ishte edhe djali i tyre 8-vjeçar, Ardiani e ka qëlluar disa herë me thikë bashkëshorten dhe më pas u largua me shpejtësi me makinën e punës, pasi mbante pozicionin e shoferit pranë OSHEE-së.
Gruaja, e cila fillimisht mbeti e plagosur rëndë, u transportua drejt Spitalit të Durrësit nga dy vëllezërit dhe djali i saj, por, fatkeqësisht, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra. Ajo ndërroi jetë pak çaste pasi mbërriti në spital.
Dyshohet se krimi ka ndodhur për motive xhelozie.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë