Drejtësia

Vrau dhe groposi 8-vjeçarin në Fier, Klodian Çalamani dënohet me burg përjetë

Gazeta Si - Klodian Çalamani, monstra i Fierit, është dënuar nga gjykata me burgim të përjetshëm për vrasjen dhe groposjen e 8-vjeçarit Mateo Vasiu, ngjarje e ndodhur më 16 nëntor 2021.

Gjykata e Fierit e shpalli fajtor Çalamanin për akuzat e vrasjes në rrethana cilësuese ndaj të miturit dhe marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur, kjo për shkak se autori kishte abuzuar seksualisht me 8-vjeçarin para se t’i merrte jetën dhe ta groposte në oborrin e banesës së tij.

Nga hetimet ka rezultuar se Klodian Çalamani e vrau me lopatë 8-vjeçarin, familja e të cilit banonte pak metra më tutje dhe më pas e groposi.

LEXO EDHE:
I mbyllën gojën dhe e prenë me xham në trup. Si e mitura i shpëtoi nga duart Klodian Çalamanit në 2006-ën për një histori ‘dashurie’

Ajo që e bëri edhe më tragjike këtë ngjarje, ishte se Çalamani e groposi në oborrin e shtëpisë së tij, në tentativën për të fshehur çdo gjurmë.

Mirëpo, pas denoncimit që bënë familjarët, policia ka ushtruar kontrolle në lagje, ku ka zbuluar gropën në të cilën kishte fshehur trupin e 8-vjeçarit.

I mituri është goditur barbarisht 2 herë me lopatë pas koke, goditje këto që kanë rezultuar fatale duke i marrë jetën 8-vjeçarit.

Klodian Çalamani në 2006 është autor i një tjetër pengmarrjeje. Ai së bashku me shokun e tij, Florian Vasiu, 25 vjeç, nga fshati Grecalli kanë marrë peng një vajzë, atëherë 16-vjeçare.

Shoku Florian Vasiu pëlqente vajzën, por ajo nuk i përgjigjej kësaj ndenje, pasi ishte e lidhur me dikë tjetër. Pikërisht i dashuri i saj ka ndaluar të rinjtë dhe i kanë thënë që të mos e bezdisnin më vajzën.

Ky veprim i të dashurit të vajzës ka acaruar të Çalamanin dhe Vasiun, të cilët e kanë marrë peng dhe e kanë torturuar për 20 minuta, duke e kërcënuar se do i shëmtonin pjesë të ndryshme të trupit, më konkretisht gjoksin duke ia prerë me biçak.

Nga hetimet e Prokurorisë së Fierit ka rezultuar se për të arritur qëllimin e tyre, Klodiani ka kërcënuar edhe motrën e tij, E.Çalamani, e cila është përdorur për të futur në kurth adoleshenten.

Asokohe, dy të rinjtë u dënuan nga Gjykata e Fierit, me nga katër vjet burgim për veprën penale të heqjes së lirisë të kryer në bashkëpunim, bazuar në nenin 110/2 të Kodit Penal. Ai u lirua nga burgu i Rrogozhinës me datë 06.08.2009.

Pak ditë pas krimit, shtëpia e Çalamanit u dogj nga persona të paidentifikuar, dyshohet në shenjë hakmarrjeje.

Ngjarja e ndodhur në Grecalli të Fierit, tronditi opinionin publik dhe shkaktoi protesta në qytete të ndryshme të vendit, ku madje u kërkua edhe vendosja e dënimit me vdekje.

Po ashtu, edhe familjarët e Mateos së vogël, protestuan para ambienteve të paraburgimit në Fier ku mbahej vrasësi, duke tentuar të kalonin edhe kangjellat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë