Lajme

Vrau 4 policë në Durrës, Dritan Dajti i shpëton burgut përjetë

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka rrëzuar dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, i akuzuar për vrasjen e katër efektivëve të policisë në vitin 2009 në Durrës.

Gjykata e shkallës së parë për Krimet e Rënda e kishte dënuar Dritan Dajtin me burgim të përjetshëm. Por me vendimin e sotëm të Apelit, ku është pranuar kërkesa për gjykim të shkurtuar, dënimi i përjetshëm bie dhe Dajti dënohet përfundimisht me 25 vite burg.

Dritan Dajti prej vitit 2009 qëndron në paraburgim, ndërsa seancat në ngarkim të tij janë zvarritur vazhdimisht. Teksa ka kaluar 10 vite në qeli që prej arrestimit nga policia për vrasjen e katër efektivëve specialë të cilët shkuan për ta arrestuar, Dritan Dajtit i mbetet të kalojë pas hekurave edhe rreth 7 vite burg.

Kjo pasi qëndrimi në paraburgim përllogaritet një ditë e gjysmë, dhe vetëm në momentin kur dënimi merr formë të prerë nga gjykata qëndrimi në qeli merr përllogaritje standarde.

Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, mbetën të vrarë në operacionin e Policisë më 7 gusht të vitit 2009, kur efektivët e Njësisë Operacionale të Policisë së Shtetit, ndërhynë në zonën e plazhit për të arrestuar Dajtin i cili ishte në kërkim, pasi ai ishte dënuar për vrasjen e biznesmenit Agim Beqo, ngjarje e ndodhur në vitin 1999 në Tiranë.

Deri në momentin e arrestimit pak minuta pas masakrës ku mbeti edhe vetë i plagosur, Dritan Dajti kishte qenë në liri pas arratisë nga Gjykata e Tiranës në verë të vitit 2004.

Fillimisht kur ishte caktuar edhe dhënia e vendimit të gjykatës Dajti, sipas kësaj të fundit nuk ka pranuar të firmosë marrjen e njoftimit apo të firmosë se ka marrë dijeni, kur toga e shoqërimit ka shkuar për t’i komunikuar dhënien e njoftimit.

Në këto kushte, ishte vendosur nga Gjykata e Krimeve të Rënda, që të dërgohej në sallën e gjyqit nëpërmjet shoqërimit të detyrueshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë