Rend dhe Ligj

Vrasjet e ditëve të fundit, Lleshaj thërret në zyrë drejtuesit e policisë

Nisur nga situata e ditëve të fundit, ku disa vrasje dhe atentate janë regjistruar në qytete të ndryshme të vendit, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ka thirrur në një takim drejtuesit e policisë. Ministri Lleshaj kërkoi me forcë rritjen e përpjekjeve parandaluese kundër personave me rekorde kriminale dhe rrezikshmëri të lartë, të cilët përpiqen të shfrytëzojnë këtë periudhë për qëllime kriminale.

Duke kritikuar disa drejtues vendorë për ngjarjet kriminale të ndodhura gjatë muajit gusht, Lleshaj përcaktoi detyra të qarta që duhet të ndiqen në periudhën në vijim.

“Duhet të rritet “Presingu” i mirëfilltë ndaj personave me profil kriminal, përfshirë edhe ata që kthehen në vend gjatë pushimeve, mbikëqyrja parandaluese ndaj tyre dhe kontrollet e mjediseve të frekuentuara prej tyre. Të shtohen kontrollet për armëmbajtjen pa leje në mjedise publike si në qarkullimin rrugor, bare e diskoteka etj.”- ka thënë Lleshaj ndër të tjera.

Më tej ai ka kërkuar angazhim më të fortë për menaxhimin efektiv të qarkullimit rrugor, në kushtet e rëndimit të tij për shkak të flukseve të mëdha dhe të sjelljes së papërshtatshme të disa qytetarëve.

Për strukturat kundër Krimit Ekonomik u kërkua thellimi i angazhimit në operacionin e përbashkët kundër informalitetit në ekonomi. Lleshaj vuri theks të veçantë në masat kundër kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike, ku evidentoi nevojën për vigjilencë të pandërprerë në këtë fushë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë