Libra

“Vrasje në Kryeministri”

Ajo çka i ka munguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës deri më tani ka qenë një presidente grua, e cila me kandidaturën e Hillary Clinton-in sa iu afrua përmbushjes aq edhe tregoi se shoqëria amerikane ishte larg të pranuarit qeverisjen nga një grua. Shumë larg prej vendit të fuqishëm dhe shembull i lirive, në Shqipërinë e tranzicionit të gjatë, pas komunizmit që njohu vetëm një udhëheqës për dyzet vjet dhe një parti të vetme për ca më shumë, me kryeministra e presidentë pluralistë herë nga e majta e herë nga e djathta të pas ’90, në krye të qeverisë vjen një grua...Sigurisht vetëm përmes imagjinatës, sepse Shqipëria ende nuk e ka pasur një të tillë. E ka sjellë pena e shkrimtares Diana Çuli në romanin e saj më të fundit “Vrasje në kryeministri”. Ka zgjedhur thrillerin, një nga  zhanret e parapëlqyer, por edhe të lëvruar prej saj në letërsinë shqipe, e cila pak e rrok atë  - ndoshta me përjashtim të romaneve të Fatos Kongolit . E pat nisur dikur me “Rrethi i Kujtesës”, roman i harruar e cilëson edhe vetë autorja, ku subjekti u bë i njohur përmes filmit me të njëjtin titull, nga regjisori Esat Musliu dhe interpretimi dramatik i aktores Marjeta Ljara, si gruaja me kujtesë të humbur, e quajtur Margarita Begolli. I shkruar në vitet ’80, rrëfen historinë e eksperimenteve njerëzore të nazistëve gjermanë.

Më 2018-ën, Çuli i rikthye këtij zhanri, por përtej një enigme krimi dhe personazhit qendror të një detektiveje, e cila përpiqet të zbulojë fajtorët e një vrasjeje – që siç lë të kuptojë edhe titulli ndodh në mjediset e kryeministrisë –qëllimi  i shkrimtares shqiptare ishte të shkruante një libër mbi problemet e politikës së sotme europiane, euroskepticizmin në rritje, i cili po shpërfaqet gjithnjë e më shumë me valë të populizmit. “Kjo ishte tema që doja”, ka thënë ajo në një intervistë, “por thënë në një mënyrë letrare”. Për ta mbajtur lexuesin të mbërthyer, të angazhuar , por edhe në rolin e zbuluesit të intrigave që thurin subjektin, shkrimtarja ka zgjedhur pikërisht një roman thriller; për të përçuar idetë e saj, në një mënyrë aspak të mërzitshme.  Kështu shkrimtarja zgjedh të sillet rreth personazheve femërore; një detektive grua, Beti Duka, një punonjëse e kryeministrisë Alma Shyti dhe vetë kryeministrja, Eva Starova dhe vdekjes së një punonjësi të lartë të kryeministrisë, i cili gjendet i pajetë në zyrën e tij. Dyshimet çojnë të mendohet për një vrasje të mundshme...

Një komunikatë e shkurtër, dy minutëshe, ishte lexuar të nesërmen për mediet nga zëdhënësi i kryeministrisë, ku thuhej se zoti Dilaver Gashi kishte humbur jetën nga një ndalim i papritur i aktivitetit kardiak, në detyrë e sipër, në zyrën e tij, në selinë e qeverisë. Beti, kur dëgjoi lajmin, pati një ndjesi të kotë se kjo vdekje ishte paralajmëruese...

Është ky krim që lidh më pas ngjarjet dhe personazhet në subjektin e romanit, ku Çuli aq sa shpalos dinamikën e zbardhjes së vdekjes misterioze, aq edhe analizon dhe kritikon politikën.  

Ai ishte pesëdhjetë e një vjeç, i gjatë, thatim e fytyrëhequr, me pak flokë të shtrira e të lëmuara pas, sa për të mos e quajtur tullac dhe i veshur gjithnjë me sqimë. Gazetat shkruanin për të se nuk hiqte dorë nga këpucët italiane dhe nga trekëndëshi i shamiçkave të mëndafshta te xhepi i vogël i xhaketës. Nuk kuptohej qartë nëse kjo përfolje shihej si sfidë ndaj “mënyrave fshatareske” të disa prej punonjësve të tjerë të administratës shtetërore apo si shenjë “pro-perëndimore” dhe “fisnikërore”, meqenëse Sekretari i Përgjithshëm vinte shpesh në dukje, si padashur, një unazë të rëndë floriri me një gur ngjyrë vishnje, ku vizatohej një stemë e pakuptueshme dhe që ai, në bisedë e sipër, kur e pyesnin, thoshte se e kishte shenjë të familjes. Me prirjen shqiptare të dekadave post-komuniste për të zbuluar prejardhje fisnike, aristokrate apo mbretërore, unaza i rrëqethte dhe i drithëronte adhuruesit e gjenealogjive të kësaj kategorie, ndërkohë që i bënte të rrudhnin buzët me përçmim skeptikët dhe mohuesit e rrënjëve aristokrate në trevat shqiptare. Unaza kishte dhe dy – tri gërma të vockla, por ato nuk dalloheshin me sy të lirë, duhej ta merrje në dorë e ta vëzhgoje me vëmendje, me lente zmadhuese.

“Vrasjet politike, veçanërisht të tipit që unë kam përshkruar në libër kanë shumë shembuj e zanafilla”, do të shprehej shkrimtarja “ janë të njohura vrasjet politike të disa organizatave anarkiste, vrasjet politike jo shumë larg nesh, në Itali, vite më parë, vrasjet mafioze, po shumicën e rasteve të lidhura me politikën e kështu me radhë”.Një terren i pasur për shkrimtarët ky, e cilëson shkrimtarja, e cila njihet për romane të tjerë si “Dreri i trotuareve”, “Hoteli i drunjtë”, “Rekuiem”  apo Gruaja në kafe” .

Shkrimtarja Diana Çuli dhe botuesja Arlinda Dudaj

Për ndërtimin e personazheve, Çuli ka rrëfyer se e kanë ndihmuar një sërë figurash dhe sjelljesh të politikaneve shqiptare e po ashtu edhe përvoja e saj për një mandat si deputete e Parlamentit  të Shqipërisë. Përvojë interesante, e cilëson, edhe pse e pranon se nuk ishte e prerë për politikë.Kur isha në politikë, pra deputete, më dukej sikur kisha tradhtuar letërsinë. Politika më ndihmoi të njihja një pjesë të jetës nga brenda. Politika është sfidë. Unë nuk isha e zonja..”, do të shprehej dikur shkrimtarja. Tenderë, biznese të dyshimtë, njerëz të përfshirë në afera korruptive, gjithë ç’mund të përbënin kryetituj në medie, vijnë të përkthyera stilistikisht dhe të nxjerra nga banaliteti i ngjarjeve të zakonshme, në letërsi.

Çfarë lidhje mund të kishte hetimi që ajo po kryente mbi vrasjen e Dilaverit – që vetëm dy vetë në Shqipëri dyshonin të ishte e tillë - me këtë lëvizje apo rrjet të hamendësuar? Ideja e saj fillestare se Gashi do të kishte zbuluar padrejtësi në zhvillimin e tenderave apo në monopolet e kompanive të biznesit po humbiste pikë. Nëse dikushi i tenderave nuk donte që e vërteta të zbulohej, mund ta nxirrte Beti Dukën nga loja me metoda shumë më të lehta se sa shpërthimet me bomba apo hedhjet nga ballkoni në vende të huaja. Mjafton të nxiste të njohurën gazetare të skandaleve Sheri Seferin, gruan e biznesmenit italian, e cila nuk do të shpenzonte shumë kohë për të zbuluar lidhjen e tërthortë, por të fortë e të ngushtë të kryeministres Starova me Beti Dukën dhe familjen e saj, po edhe faktin se këshilltarja për kulturën në kryeministri ishte, në të vërtetë, një quasi hetuese private. E paguar me çfarë? Me rrogën e këshilltarit? Një ose dy artikuj me këto tema dhe Eva Starova do të detyrohej ta largonte këshilltaren e saj të rreme nga detyra. Do të plaste para kohe dhe pa mbaruar hetimi edhe lajmi skandaloz se Dilaver Gashin e kishin helmuar për vdekje dhe gjithçka do të hidhej në erë. Vrasësi i vërtetë nuk do të zbulohej kurrë dhe çështja do të mbyllej në dëm të madh të kryeministres, që mund të detyrohej edhe të jepte dorëheqjen.

Çuli duke firmosur autografë

Njohja e jetës politike, ama, e ndihu për të trajtuar marrëdhëniet e pushtetarit me vartësit, për punonjësit mes tyre, dinamikat, heshtjet që flasin, nënkuptimet, enigmat, intrigat!. “Kjo njohje më shërbeu të krijoj personazhe, linja subjekti, ngjarje…Aq më tepër që synimi im ishte të shkruaja një thriller që lidhej me politikën”. Në një vend ku politika është vetë një skenar thriller, romani bëhet një medium i mirë për të artikuluar mendimet dhe qëndrimet jo vetëm personale, por edhe dekriptimi i dinamikave politike  gjatë pothuajse tre dekadave tranzicioni. “Doja të shkruaja për krimin politik të organizuar, për grupe njerëzish, oligarkësh, ideologësh, të fiksuarish, që, për interesat e tyre nuk kursejnë individët dhe shoqërinë – gjëra që kanë ndodhur përherë në histori”, do të shprehej autorja. Ngjarjet lëvizin nga korridoret dhe zyrat e kryeministrisë për  t’u shtrirë në krejt Ballkanin, ku përshkruhen rrugë e qytete. Një ide dytësore e romanit, për Çulin  ka qenë të fliste rreth gadishullit, jo si e perceptojnë të tjerët, por si e perceptojnë vetë ballkanasit, me të gjithë bukuritë dhe specifikat e veta.

Në datën 17 qershor 2017 në qytetin e Beratit u arrestuan shtetasit : M.L shtetas grek, R.S. shtetas maqedonas, T.K. shtetas serb. Të tre këta shtetas kishin me vete eksplozivë, me synimin për ta vendosur në sallën e konferencës ballkanike ku kishte pjesëmarrës nga qeveritë e shteteve të Ballkanit dhe personalitete të kulturës nga këto vende. Të tre këta shtetas pohuan se ishin anëtarë të organizatës FBAE – Freedom for Balkans Against Europe, e cila i kishte ngarkuar me këtë mision terrorist. Në datën 19 qershor u arrestua po në qytetin e Beratit anëtarja e katërt e kësaj organizate, A.Sh., shtetase shqiptare, e akuzuar për atentat helmimi ndaj kryeministres së Shqipërisë. Organizata FBAE është shpallur organizatë terroriste dhe anëtarët e saj janë vënë në kërkim ndërkombëtar.

Me këtë roman, shkrimtarja Diana Çuli u rendit si e dyta, mes autorëve më të pëlqyer të 2018-ës, pas Ismail Kadaresë dhe e ndjekur nga Kim Mehmeti. Megjithëse edhe vepra të tjera të Çulit kanë përfshirë elementë të thrillerit, ajo pohon se ky roman  është realizim më i plotë në këtë zhanër, për të cilin iu deshën dy vite punë deri në finalizimin e tij, në duart e lexuesit, botuar nga shtëpia botuese “Dudaj”.

Përpos krijimtarisë letrare,  pas viteve ’90, Diana Çuli njihet edhe si aktiviste e të drejtave të gruas dhe ka drejtuar “Forumin e pavarur të gruas”, ndërsa tani sjell përmes fantazisë sësaj letrare një grua kryeministre. “Nuk e parashikoj, por e dëhsiroj që kjo ditë të vijë”, do të thoshte Çuli për një kryeministre grua.  Fuqia e letërsisë  është që këtë e bën të mundshme, edhe kur realiteti i mban gratë në politikë  ende në kuota tridhjetë përqindëshi. Edhe pse shkrimtarja nuk mendon se gratë zgjidhen në politikë për t’u komanduar nga burrat, duke folur ndoshta edhe nga pozita e saj dikur deputete e Parlamentit. “Ka prej tyre që janë me personalitet të fortë”, thotë ajo. Ndoshta ndonjëhera syresh ka tiparet e Eva Starovës, kryeministres së Diana Çulit. Shpesh krijimet letrare, kanë parashikuar zhvillime reale në botë.

Eva Starova nuk shqetësohej dhe aq për sulmet e tij, se sa për një frymë gati të pandjeshme miratimi që vërente në sytë e grupit të saj parlamentar, po edhe të disa prej anëtarëve të qeverisë.

Ndoshta me këtë roman Diana Çuli ka parashikuar ardhjen e shpejtë të një kryeministre grua? *Suadela Balliu


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë