Ka ndodhur

Vrasje dhe pjesëmarrje në organizatë terroriste, OFL shënjestron 2 të tjerë

Dy të dënuar të tjerë duhet të përgjigjen para OFL-së, ku njëri akuzohet për vrasje dhe tjetri për pjesëmarrje në organizatë terroriste.

Operacioni Forca e Ligjit u ka nisur kërkesë me shkrim për deklarimin e burimeve të pasurisë brenda 48 orëve këtyre të dënuarve:

Llazar Bicja, banues në Cërrik, i dënuar për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”;

Bledar Ibrahimi, banues në Elbasan, për të cilin Gjykata e Milanos, Itali, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë terroriste”, parashikuar nga Kodi Penal italian.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

Ndër të tjera, OFL thotë se “është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special”. 


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë