Lajme

Vrasja tek Liqeni Artificial, autori vetëdorëzohet në polici

Pak ditë pas qëndrimit në arrati, autori i vrasjes së ndodhur më 16 mars në zonën e Liqenit Artificial në Tiranë, është dorëzuar në polici.

Mësohet se Islam Mylkaj nga Fieri, i cili ekzekutoi në sy të të birit, 62-vjeçarin Haxhi Baçinovskin ka shkuar në polici me avokatin e tij.

“Pas trysnisë së madhe të ushtruar nga Policia e Tiranës, kontrolleve të shumta për kapjen e autorit, si dhe negociatave të bëra mes Policisë dhe avokatit, autori i dyshuar, shtetasi I. M., 61 vjeç, nga Fieri, rreth orës 19.30 është vetëdorëzuar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë i shoqëruar nga avokati i tij”, njofton policia.

Shkak për vrasjen 62-vjeçarit dyshohet se u bë një konflikt i hershëm për një borxh të pashlyer. Sipas hetimeve të para, bazuar edhe në dëshmitë e mbledhura pas atentatit, sherri mes ish të dënuarit politik dhe autorit të krimit ka ndodhur për një shumë rreth 46 mijë euro që pretendohet se autori i detyrohej viktimës.

Ekzekutimi i 62-vjeçarit është kryer në sy të djalit të mitur, mbrëmjen e të shtunës teksa Baçinovski dhe i biri në moshë të mitur, kishin dalë për shëtitje në zonën e Liqenit Artificial. Krimi ndodhi më datë 16 mars 2019, rreth orës 18:15, tek Liqeni Artificial.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë