Ngjarje

Vrasja te ‘Don Bosko’, daja i viktimës objektivi i sulmit me armë? Asnjë gëzhojë në vendngjarje (Video)

Edmond Cërroi, daja i Erion Çelës, i cili mbeti viktimë nga plumbat një ditë më parë në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, dyshohet se ka qenë objektivi i sulmit me armë zjarri.

Sipas informacioneve paraprake nga policia, dyshohet se autorët i kanë ndjekur prej kohësh lëvizjet e tij dhe nuk dihet nëse përveç tij, ata kanë shënjestruar edhe nipërit.

Burime jo zyrtare, shprehen se 41-vjeçari Cërroi ka pasur probleme me drejtësinë jashtë vendit i akuzuar për trafik narkotikësh.

Autorët, të cilët lëviznin me një mjet tip “Benz” të zi, qëlluan nga jashtë në drejtim të lokalit ku ndodheshin në një tavolinë viktima dhe të tjerët. Viktima kishte mbajtur edhe emrin Adriatik Çela, ndërsa ishte pronar i një dyqani shumë pranë vendit ku u vra.

Mësohet se 35-vjeçari pritej të bëhej baba i një vajze. Në vendin e ngjarjes policia nuk ka gjetur asnjë gëzhojë, pasi të gjitha kanë mbetur në makinën e autorëve, duke mos lnë asnjë provë në vendngjarje.

Sulmi ndodhi rreth orës 16:15, në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, ku për pasojë ka mbetur i vdekur në vend Erion Çela, si dhe janë plagosur katër të tjerë, të cilët janë dërguar te spitali i Traumës.

Ata janë: Arben Dani 46 vjeç, Blerim Çela 28 vjeç, vëllai i viktimës, Edmond Cëroi, 41 vjeç daja i viktimës dhe Azbi Selimaj, 19 vjeç. Ky i fundit ishte kamerier në lokal dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Crroji mbeti i plagosur në pjesën e barkut dhe i është nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale. Gjendja e tij sipas mjekëve duket e stabilizuar për momentin, por gjithsesi ka nevojë për kujdes intensiv.

Në gjendje të rënduar vazhdon të jetë edhe i vëllai i viktimës, i cili ka mbetur i plagosur në pjesën e fytyrës. Me kërkesë të familjarëve të tij, Blerim Çela është dërguar në një spital privat në kryeqytet dhe po merr trajtim të specializuar.

Do të jenë kamerat e sigurisë ato që pritet të ndihmojnë grupin hetimor për të zbardhur dinamikën e vrasjes dhe itinerarin e lëvizjes së atentatorëve. Këta të fundit u larguan në drejtim të Laprakës me një makinë me targa të vjedhura.

Tre nga të plagosurit dhe viktima kanë qenë së bashku në një tavolinë në lokal kur ndaj tyre u qëllua me breshëri kallashnikovi. Ndërsa i plagosuri tjetër, 19-vjeçari Azbi Selimaj ka qenë duke punuar në lokal.

Ndërkohë, menaxheri i lokalit ku ndodhi masakra, ka treguar se në tavolinë ka qenë dhe bashkëshortja e viktimës dhe të plagosurve, ndërsa 5 minuta pasi u larguan, aty mbërriti një makinë Mercedes-Benz C-Class që dhe hapi zjarr me breshëri kallashnikovi në drejtim të tavolinës ku qëndronin Erion Çela, vëllai i tij Blerim Çela, daja i vëllezërve Edmond Crroj dhe miku i tyre Arben Dani.

Ndërsa 19-vjeçari Azbi Selimaj, sipas tij ishte i ulur në një tavolinë tjetër aty pranë dhe nuk kishte lidhje me 4 personat e sipërpërmendur.

Sipas menaxherit, nga stafi i lokalit nuk u dëmtua asnjë person. Menaxheri thekson se ambulanca mbërriti me vonesë në vendngjarje, ndërsa shton se viktima dhe të plagosurit nuk kanë pasur asnjëherë probleme në lokalin të cilin e frekuentonin shpesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë