Ka ndodhur

Atentati te “Don Bosko”, 1 i vrarë dhe 4 të plagosur, mes tyre edhe kamerieri 19-vjeçar i lokalit

Një person ka mbetur i vrarë dhe katër të tjerë të plagosur, pas një atentati me armë në zonën e Don Boskos në Tiranë.

Sipas Policisë së Tiranës, rreth orës 16:15, në “Don Bosko”, në ambientet e një lokali dyshohet se është qëlluar me armë zjarri nga jashtë, në drejtim të një tavoline ku ishin ulur pesë shtetas.

Si pasojë e të shtënave, shtetasi Erion Çela, 35 vjeç ka humbur jetën, dhe janë plagosur shtetasit Arben Dani, 46 vjeç, Azbi Selimaj, 19 vjeç, Blerim Çela, 28 vjeç (vëllai i viktimës) dhe Edmond Crroj, 41 vjeç (daja e viktimës). 19-vjeçari Azbi Selimaj që mbeti i plagosur ishte kamerieri i lokalit.

Autorët erdhën me makinë nga Spitali i Traumës drejt lokalit në Don Bosko. Aty kthyen makinën dhe u pozicionuan përballë tavolinës ku ndodheshin vëllezërit Çela, daja i tyre dhe një tjetër person. Ata nuk e fikën makinën dhe nga sedilja e pasme një person hapi zjarr me breshëri automatiku në drejtim të tavolinës ku ishin ulur personat në fjalë.

Sipas policisë, i vetmi person me precedentë të mëparshëm penalë rezulton daja i viktimës, Edmond Crroj. Ai mësohet se ka precedentë të mëparshëm penalë për drogë në Itali. Më parë, 41-vjeçari ka mbajtur emrin Adriatik Crroj.

Kur kanë kaluar disa orë nga ngjarja e rëndë, nuk ka asnjë të dhënë për autorët e saj, po ashtu edhe për motivet.

Ajo që dihet deri më tani, është se autorët lëviznin me një Mercedez Benz të vjedhur dhe me targa të vjedhura.

Pavarësisht se në të gjithë hyrje-daljet e Tiranës u ngritën pika kontrolli, deri më tani nuk ka asnjë gjurmë të tyre.

Autoritetet hetimore kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në lokal dhe në zonën përreth, ndërsa në pyetje janë marrë edhe dëshmitarët okularë.

Sa u përket 4 të plagosurve, ata ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë