Ngjarja tronditëse në zonën e ish-Bllokut sjell reagimin e parë nga radhët e opozitës. Deputeti i PD-së, Xhemal Gjunkshi në një reagim të tij në rrjetet sociale i ka bërë thirrje presidentit Ilir Meta që të thërrasë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
Një status në Facebook, Gjunkshi ka theksuar se “Në zemër të qendrës së Tiranës, në zonën e sigurisë më të lartë të kryeqytetit, ndodh skema e krimit, vritet një qytetar dhe plagosen dy të tjerë, jo për të parën herë. Takimi ministerial i ministrave të Brendshëm, përshëndetet fatkeqësisht me një skemë shumë të rëndë krimi, duke dhënë, transmetuar një imazh shumë negativ, se kjo qeveri është një qeveri e paaftë për të siguruar jetën dhe pronën e qytetareve, se kjo qeveri është e lidhur me krimin dhe në shërbim të krimit. Kjo qeveri është qeveria e polishout, polipresionit, polikërcënimit, poligjobës etj dhe përfundon me polivrasjen. Vetëm në këtë mënyrë, duke i kërcënuar, duke i plagosur, duke i vrarë, duke i shantazhuar, duke i kërcënuar duke u mbyllur gojën do të mund të qëndrojë në pushtet qeveria e lidhur si mishi me thoin me bandat e krimit”.
Ai cilësoi ngjarjen e mbrëmshme si një skenë lufte të ngjashme me ato që ndodhin të ngjashme me ato që ndodhin në Afganistan, në Siri.
“Shtrojmë pyetjen a ka siguri në vendin ku kemi lindur, në vendin ku jemi rritur, në vendin ku banojmë, ku jetojmë, ku ushqehemi, ku kërkojmë të ndërtojmë të ardhmen dhe lumturinë e fëmijëve tonë, për një jetë më të mirë? Pse kjo indiferencë e bindur? Pse kjo neglizhencë? Pse kjo mungesë profesionalizmi? Sigurisht të gjitha këto flasin për një politizim ekstrem të këtyre organeve të sigurisë, të cilat nuk i shërbejnë popullit, taksapaguesve shqiptare, por që janë vënë në shërbim të politikës se krimit dhe të grupeve kriminale. Janë të gjitha këto fakte që nga dita në ditë po bëhen të pakontestueshme nga kjo bande mazhoritare që po shkatërron dhe po e çon këtë vend drejt zhvillimeve të paparashikueshme. Shkaktar i të gjithë kësaj situate teje të rëndë dhe aspak të sigurtë, është një person dhe ky person është Kryeministri i Vendit.Ku janë organet e sigurisë kombëtare? Si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, si Anëtar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare i bëj thirrje Presidentit të Republikës që të mbledhë urgjentisht Këshillin e Sigurisë Kombëtare”, thekson Gjunkshi.
Deputeti i PD-së më parë ka mbajtur detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë shqiptare.
Këshilli i Sigurisë thirret si rregull me kërkesë të Kryeministrit dhe të Presidentit. Në të bëjnë pjesë pjesëtarë të kabinetit qeveritar, Shefi i Shtabit të Ushtrisë, Shefi i SHISH. Siguria, zhvillimi i politikave rajonale, mbrojtja janë në fokusin e këtij Këshilli që është më tepër konsultativ dhe përcakton mënyrën e veprimit të shtetit përballë situatave të ndryshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.