Ka ndodhur

Vrasja e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, ekstradohet nga Kosova Indrit Taullai

Ekstradohet nga Kosova 46-vjeçari Indrit Taullai, kreu i bandës së Durrësit, i shpallur në kërkim nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) për akuzën e vrasjes me paramendimin e grup të strukturuar kriminal. 

Ai akuzohet nga SPAK për vrasjen e Klodjan Saliut dhe si organizator për ekzekutimin e Vajdin Lamaj, ngjarje të ndodhura më 26 dhe 27 shkurt të 2005.

“Nga Interpol Tirana është bërë i mundur ekstradimi nga Republika e Kosovës drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar: I. T., 46 vjeç, banues në Durrës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, me vendimin penal të datës 02.12.2020, i ka vendosur masën “Arrest në burg” për konsumimin e veprave penale "Vrasja me paramendim e kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal", "Mbajtja e paligjshme e armëve të zjarrit, me pasoja të rënda", "Grupi i strukturuar kriminal", "Vrasja në rrethana të tjera specifike ndaj dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin e policisë.

Më herët, Gjykata e Posaçme e Apelit, ka vendosur të lërë pa lëvizur masat e sigurisë për Emiljano Shullazin, Plaurent Dervishaj, Indrit Rusin, Viktor Ymerin, Indrit Taullain, që u arrestuan për dy vrasjet e realizuara. Ndërsa procesi gjyqësor për Lulzim Berishën, nuk është zhvilluar për shkak se policia ende nuk ka mundur ta arrestojë.

Të gjithë këta persona përfshirë dhe bashkëpunëtorin e prokurorisë SPAK, Luftar Reçin, akuzohen si ideatorët dhe autorët e vrasjes së Klodian Saliut dhe Vajdin Lames, ngjarje të ndodhura në shkurt të vitit 2005.

Në Dubai si i implikuar në këto dy vrasje, u arrestua Plaurent Dervishaj. Ndërkohë, i vetmi që është në kërkim për këto dy vrasje të bujshme është Lulzim Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë