Ka ndodhur

Vrasja e trefishtë në Elbasan në 2018, shpallet në kërkim Mikael Qosja

Identifikohet dhe shpallet në kërkim ndërkombëtar një nga autorët e vrasjes së trefishtë të ndodhur në vitin 2018, në Elbasan.

Bëhet fjalë për ngjarjen e rëndë të vitit 2018 ku në një atentat mafioz mbetën të vrarë Endrit Alibeaj, Arben Dylgjeri dhe turku Terdal Durunay.

Autori i dyshuar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është Mikael Qosja, 35 vjeç.

“Si rezultat i hetimeve të kryera, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u bë shpallja në kërkim ndërkombëtar e autorit të dyshuar, shtetasi: M. Q., 35 vjeç”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ai është i dyshuar për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Policia thotë se në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen edhe të personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë