Dosje

Dinamika e vrasjes së rojës së sigurisë në TCH / Policia: 100 mijë € kush jep informacion. Pas shoqërimit lirohet ish-dhëndri i viktimës

Gazeta Si - Policia ka vendosur një shpërblim prej 100 mijë eurosh për këdo që ka informacion për autorët e sulmit ndaj godinës së Top Channel, ku humbi jetën roja i sigurisë, Pal Kola.

Në një njoftim për mediat, policia ka vënë në dispozicion të qytetarëve, numrin e telefonit 069 41 10 299, duke garantuar anonimatin e plotë të çdo telefonuesi.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 00:30, ku disa persona, kanë qëlluar në drejtim të godinës me dy armë zjarri automatik model AK-47.

Dinamika e ngjarjes

Duke zbardhur dinamikën e ngjarjes, bëhet e ditur se plumbat i morën jetën 60-vjeçarit Pal Kola, teksa nga të shtënat është dëmtuar fasada ballore e godinës së televizionit, si dhe dy automjete të parkuara në oborr.

Rreth 3 minuta para ngjarjes, në orën 00:27, automjeti i autorëve është fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit.

“Range Rover”-i ka lëvizur në rrugën dytësore të autostradës Durrës-Tiranë, ka dalë përballë godinës së televizionit Top Channel dhe në atë moment autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të fasadës së televizionit.

Autorët, pasi kanë qëlluar me armë zjarri, janë larguar me shpejtësi përsëri nëpërmjet rrugës që kanë ardhur, për në drejtim të Durrësit dhe në orën 00:36 janë fiksuar nga kamerat e sigurisë në zonën e Kasharit.

Në orën 00:55, Policia e Kavajës kanë marrë njoftim për djegien e një automjeti, në autostradën Durrës-Rrogozhinë, në vendin e quajtur “Përroi i Agait”.

Automjeti i vjedhur

Policia thotë se automjeti i përdorur nga autorët, është i tipit “Range Rover Sport”, me ngjyrë kafe, i cili ka rezultuar i vjedhur më datë 10.07.2020, në fshatin Tale të Lezhës.

Ky automjet i është vjedhur një shtetasi kosovar, i cili ishte me pushime në këtë zonë, ndërsa targat e automjetit “AA 456 HC”, janë kallëzuar të vjedhura më datë 31.12.2022, në qytetin e Tiranës.

Përmes një prononcimi për mediet, pronari i mjetit luksoz i identifikuar si Ramadan Nikolli deklaron se mjetin ia kishte vjedhur roja i sigurisë së hotelit 3 vite më parë, dhe se rastin e kishte denoncuar rastin tek autoritetet ligjzbatuese.

““Range Rover” me të cilin dyshohet se u sulmua “Top Channel” mbrëmë, ka qenë vetura ime, por që më është vjedhur nga rojtari i sigurisë së hotelit ku po qëndrojë me pushime atëherë,”- ka thënë ai.

Automjeti i vjedhur dhe pronari nga Kosova

U qëllua me dy armë zjarri

Nga veprimet hetimore në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 25 gëzhoja model 56, 5 predha dhe 9 copëza predhash municioni luftarak.

Policia ka këqyrur dhe sekuestruar kamerat e sigurisë të televizionit, si dhe disa kamera sigurie të subjekteve private për rreth vendit të ngjarjes dhe në drejtimin e lëvizjes së automjetit të përdorur nga autorët.

Në vendin e djegies së automjetit është këqyrur dhe sekuestruar automjeti i djegur dhe një gëzhojë model 56, e cila u gjet jashtë tij.

Brenda automjetit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 armë zjarri model AK-47, si dhe sende të tjera që lidhen me automjetin, si targa e parë e automjetit, 4 gëzhoja model 56 të plasura si pasojë e djegies.

Nga ekspertimi i provave të sekuestruara në të dyja vendngjarjet, ka rezultuar se autorët i kanë përdorur të dyja armët e zjarrit, ku 20 gëzhoja janë qitur nga një armë zjarri dhe 6 gëzhoja janë qitur nga arma tjetër.

Pal Kola dhe fasada e Top Channel e shpuar nga plumbat

Pas shoqërimit, lirohet ish-dhëndri i viktimës

Njëri nga dy personat e shoqëruar nga policia një ditë më parë në kuadër të hetimeve për vrasjen e rojës së sigurisë në Top Channel, ishte dhe ish-dhëndri i viktimës, Pal Kola.

Roberto Papçi është shoqëruar fillimisht në komisariatin e Vlorës, pasi ka qenë duke udhëtuar gjatë natës me makinë, por pas zhvendosjes në Tiranë dhe marrjes në pyetje nga oficerët, ai është lënë i lirë.

I pyetur nga hetuesit, ai ka mohuar që të ketë lidhje me ngjarjen dhe policia e ka liruar, pasi nuk kishte prova të mjaftueshme për ta akuzuar si të dyshuar.

Bashkë me të u shoqërua edhe shoku i tij A.T. Të dy kanë mohuar përfshirjen në ngjarjen e rëndë të një dite më parë.

Ata u ndaluan dje në Vlorë dhe më pas u dërguan në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për t’u marrë në pyetje. Roberto Papçi ka qenë bashkëshorti i vajzës së Pal Kolës, por çifti prej dy vitesh ishin ndarë.

Në Vlorë për një makinë

Sipas burimeve ndarja nuk ka ndodhur me mirëkuptim për shkak të kujdestarisë së fëmijës që ka çifti. Ndaj këtyre dy personave janë kryer teste të gjurmës së barutit në duar, apo marrjes së gjurmëve të gishtërinjve.

Gjatë komunikimit, Roberto Papçi i ka thënë policisë së Vlorës se ishte në këtë qytet për të blerë një makinë.

Një ditë më parë, nga breshëria e armëve në godinën e Top Channel, mbeti i vrarë roja i sigurisë Pal Kola 60 vjeç.

Autorët, pasi kanë kryer krimin, jnë larguar me një utomjet “Range Rover”, të cilin e kanë braktisur dhe djegur te Prroi i Agait pranë mbikalimit në autostradën që të çon në Kavajë.

Sipas Top Channel, policia ka gjetur prova të vlefshme, të cilat janë përcjellë në laboratorin shkencor dhe pritet të nxjerrin profile ADN-je dhe shenjë gishtash të cilat do të verifikohen nga databazat e policisë për të zbuluar nëse mund të ketë një emër për sulmin me armë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë