Dosje

Hetimet për sulmin ndaj Top Channel, gjurmë ADN-je në gëzhojën e gjetur pranë makinës që u gjet e djegur

Gazeta Si - Një gjurmë ADN-je e në gëzhojën e gjetur pranë makinës që u përdor në sulmin ndaj Top Channel, është prova e vetme deri më tani, me të cilën Policia Shkencore synon të bjerë në gjurmët e autorëve.

Këtë të mërkurë, kanë përfunduar të gjitha akt ekspertizat e kryera në policinë shkencore që ndodhet në Sauk.

Top Channel mëson se ka përfunduar ekspertiza ndaj targave të vendosura në automjetin e përdorur nga autorët në sulmin terrorist ndaj godinës së TCH në Mezes pak ps mesnatës së të hënës.

Nga verifikimet, nuk është gjetur asnjë gjurmë në targë, madje ka dyshime se provat në targat e djegura pjesërisht, mund të jenë dëmtuar nga zjarrfikësit, që shuan flakët në “Përroin e Agait”, aty ku u gjet mjeti tip “Range Rover” pas sulmit.

Herët në mëngjes, policia shkencore ka këqyrur kallashnikovët për të kuptuar nëse janë përdorur në krime të tjera dhe del se ata nuk janë përdorur.

Ndërsa për gëzhojën e gjetur në mjet, do të thirren 6 ekspertët që kanë qenë në vendngjarje me dyshimin se mos njëri prej tyre ka prekur gëzhojën pa përdorur doreza. Pas kësaj, do të krahasohet me të dhënat që ka policia shkencore.

Më pas, do t’i dërgohet Europol-it me seli në Lion të Francës, një metodë që është përdoru dhe në vrasjen e kryekomisarit Artan Cuku.

Hetimi po kryhet për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese në dëm të Pal Kolës dhe duke rrezikuar jetën e shumë të tjerëve.

Megjithatë, policia duket se nuk është aq optimiste për kapjen e autorëve dhe shpreson se publiku mund të ndihmojë dhe për këtë arsye një ditë më parë ofroi një shpërblim 100 mijë euro për këdo që ka informacion për autorët.

Lidhur me këtë ngjarje të rëndë, policia e Tiranës dhe Vlorës shoqëruan e morën në pyetje Roberto Papçin, ish-dhëndrin e viktimës.

Papçi mohoi të ketë lidhje me ngjarjen, pasi po largohej në orën 03:00 të natës drejt Vlorës për të blerë një makinë.

Pas 10 orësh shoqërim, Papçi, është lënë i lirë së bashku me shokun e tij. Ndërsa 4 telefonat e tyre janë mbajtur të sekuestruar.

Në sulmin ndaj Top Channel, ku humbi jetën punonjësi i sigurisë Pal Kola janë përdorur dy armë zjarri. Nga verifikimi ka rezultuar se një kallashnikov ka qëlluar 20 herë ndërsa tjetri 6.

Për këtë sulm, autorët kanë investuar mijëra euro, duke përdorur një mjet të vjedhur 3 vite më parë dhe targa të vjedhura rreth 3 muaj më parë.

Nga verifikimet e kryera nga polica, mjeti “Range Rover” që i përkiste një pushuesi nga Kosova, është vjedhur në Tale të Lezhës më 10 korrik te vitit 2020.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë