Politike

Sulmi në godinën e TCH, Rama: Agresion kriminal! Begaj: Të zbardhet ngjarja. Reagon Meta, Berisha e Alibeaj

Gazeta Si - Kryeministri Edi Rama ka dënuar ngjarjen e rëndë në Top Channel, ku mbeti i vrarë roja i objektit nga persona të paidentifikuar.

Duke i shprehur ngushëllimet familjes së viktimës, ai thotë se duhet të ketë një përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese.

“Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues”, shkruan Kryeministri Rama.

Më herët, edhe Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka shprehur keqardhjen e tij për ngjarjen e rëndë në ambientet e Top Channel.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Begaj u ka bërë thirrje organeve ligjzbatuese për zbardhjen sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë të kësaj ngjarje kriminale.

Po ashtu, Presidenti i ka shprehur ngushëllimet familjes së rojës Pal Kola, i cili mbeti viktimë. “Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola. Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale”, shkruan Begaj.

Edhe kryetari i PL-së, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për familjen e të ndjerit Pal Kola pas sulmit Top Channel.

“Edhe sot krimi e mori një jetë. Një jetë të pafajshme, të një punëtori. Sot një roje televizioni, para pak ditësh një pastruese lokali. Viktimat e krimeve nuk janë të largët e të panjohur, ata janë njerëzit tanë, bashkëqytetarët tanë, shqiptarët tanë.

Bashkohem me pikëllimin dhe dhimbjen e familjarëve dhe gjithë shoqërisë sonë. Epoka e krimit duhet të marrë fund, që të vijë epoka e shqiptarëve. Dhe do të marrë fund, shumë shpejt!”- shkruan Meta.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, duke dënuar sulmin kriminal ndaj TCH, ka deklaruar se Policia e Shtetit është maksimalisht e përkushtuar për ta zbardhur këtë ngjarje dhe për të vënë para drejtësisë autorët. Ministri Çuçi ka shprehur ngushëllimet për familjen e rojes së ndjerë dhe solidaritet me TCH.

"Dënoj sulmin kriminal ndaj godinës së televizionit kombëtar Top Channel. Policia e Shtetit bashkë është maksimalisht e përkushtuar për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë dhe për të vënë para drejtësisë autorët. Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe solidaritet me #TCH".

Kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj, u shpreh se ky është një sulm ndaj medias dhe fjalës së lirë.

“Sulmi me armë ndaj televizionit kombëtar, Top Channel dhe vrasja e rojës së sigurisë është një ngjarje e rëndë dhe akt kriminal të cilin e dënoj me forcë. Ngushëllimet e mia për familjen e punonjësit të sigurisë që humbi jetën në këtë ngjarje të rëndë. Sulmi i mbrëmshëm është një sulm ndaj medias, fjalës së lirë, por është dhe një sulm i rëndë ndaj sigurisë publike në vend. Në emër të PD bëj thirrje organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht ngjarjen dhe autorët të vihen para drejtësisë. Mbështetje dhe solidaritet për stafin e Top Channel.”- shkruan Alibeaj.

Edhe kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka dënuar sulmin me armë ndaj personelit të sigurisë në Top Channel, ku për pasojë humbi jetën roja i objektit, Pal Kola.

“Një akt kriminal i shëmtuar. Sulmohet me armë zjarri Top Channel dhe ekzekutohet në kabinën e tij roja e objektit.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar kriminal dhe i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së viktimës, miqve, të afërmve dhe kolektivit të Top Channel.

Denoncoj këtë akt kriminal, si dëshmi tjetër e dhimbshme e pasigurisë së plotë, që ekziston sot në vend nga vendosja e rendit nga regjimi në duart e krimit”- shkruan Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë