Ka ndodhur

Dhjetë të shoqëruar në polici për vrasjen në Elbasan, tre nga të plagosurit te Trauma

Një ditë pas vrasjes që tronditi Elbasanin, ku u ekzekutua Pjerin Xhuvani, policia ka shoqëruar në komisariat 10 persona. Këta të fundit dyshohet se kanë qenë të përfshirë në konfliktin me armë zjarri.

Ndërkohë në kërkim është shpallur Klement Xhaferri, i cili është një emër i njohur për Policinë e Elbasanit dhe kryeqytetit.

Ai ka qenë i hetuar edhe nga prokuroria për një përplasje të ndodhur në këtë qytet në 2017-ën, kur pati persona të shoqëruar dhe ndaluar pas një përplasjeje me policinë në në tregun agro-ushqimor të qytetit.

Një ditë më parë, nga shkëmbimi i zjarrit në lagjen “5 Maji”, mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani, i cili u qëllua për vdekje nga ish-efektivi i RENEA-s, Arbër Papleka.

Pak minuta pas ngjarjes, Papleka është vetëdorëzuar në polici dhe në dëshminë e tij ka thënë se ka qëlluar për vetëmbrojtje.

Gjatë shkëmbimit të zjarrit, të plagosur kanë mbetur edhe një efektive policie Xhensila Sota dhe tre persona të tjerë. Sota mori një plumb në këmbë, ndërsa në gjendje të rëndë në spital dyshohet se gjendet dhëndri i viktimës.

Mësohet se gjendja e 4 të plagosurve është e qëndrueshme. Efektivja e policisë, së bashku me Emiljan Prengën dhe Pavlo Vuksanin, janë transportuar në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërsa Eltjon Bodinaku ndodhet ende në Spitalin e Elbasanit.

Sipas informacioneve, dyshohet se përplasja me armë ndodhi për shkak të zgjedhjeve. Partia Demokratike pretendon se një makinë e shtabit të PS-së është kapur nga mbështetësit e PD-së duke shpërndarë para në këmbim të votës. Pas konstatimit të makinës është thirrur edhe policia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë