Dosje

Vrasja e Pashko Ujkës në Shkodër, atentati i tretë ndaj ish-deputetit dhe pistat e hetimit

Atentati me armë zjarri ndaj ish-kryetarit të Komunës së Velipojës, i cili humbi jetën në spital, nuk ishte i pari ndaj tij. Kjo ishte hera e tretë që 64-vjeçari Pashko Ujka ishte vendosur në shënjestër, pasi më parë i ishin bërë dy atentate të tjera, por kishte arritur që të shpëtonte.

Disa vite më parë, ndaj shtëpisë në Velipojë së Ujkës u qëllua me armë zjarri, megjithatë në atë kohë pa dëmtime në njerëz.

Ish-deputeti mësohet se ishte duke vuajtur nga një sëmundje e rëndë dhe e kishte bërë rutinë që në atë orar të mbrëmjes të bënte shëtitje në lulishten pranë banesës së tij në Universitetin “Luigj Gurakuqi”.

Pistat e hetimit në lidhje me ngjarjen, kanë të bëjnë me konflikte personale të ish-deputetit, por edhe detyra e tij si kryetar komune në Velipojë, ku mësohet se ka pasur disa denoncime  për çështje pronash.

Mësohet se paraditen e sotme grupi hetimor është rikthyer në vendin ku ndodhi atentati për të gjetur ndonjë provë që mund të çojë në zbulimin e autorit/ve të atentatit. Gjithashtu janë sekuestruar edhe kamerat e sigurisë përreth dhe pamjet e tyre do verifikohen. Policia ka marrë në pyetje disa persona si dëshmitarë të ngjarjes por nuk ka ende të ndaluar. 

Pashko Ujka, ish-deputet i Kuvendit, u qëllua mbrëmjen e të hënës pak pasi kishte dalë nga banesa e tij i shoqëruar nga bashkëshortja. 64-vjeçari dyshohet se u qëllua me armë me silenciator sipas dëshmisë paraprake që gruaja e tij ka dhënë në polici. Dyshohet se autori ka përdorur një armë me silenciator, duke e qëlluar gati me puthitje në trup, Pashko Ujkën.

Ajo është shprehur se nuk ka kuptuar asgjë kur Ujka është qëlluar. Ata po ecnin në këmbë, kur gruaja e pa të shoqin të binte përtokë. Madje duke qenë se kohët e fundit Ujka kishte pasur probleme shëndetësore ajo kishte menduar se nuk ishte ndjerë mirë.

Ujka humbi jetën në spital, rreth 2 orë pasi mbeti i plagosur rëndë. Ai mori plagë në shtyllë kurrizore dhe pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve nuk mundi të mbijetonte.

Në vitin 2005 Pashko Ujka është zgjedhur deputet me Aleancën Demokratike, ndërsa në vitin 2007 ka kaluar me Partinë Demokristiane.

Në vitet 2008-2009, ai ka qenë pjesë e grupit parlamentar të PD. Në vitin 2016, Pashko Ujka ka kërkuar në Gjykatën Administrative shfuqizimin e dënimit të vendosur ndaj tij me gjobë nga Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit Pyjeve dhe Ujërave, Dega Rajonale Shkodër, por kjo kërkesë e tij është hedhur poshtë nga togat e zeza. Megjithatë, ai nuk ishte më aktiv në jetën politike prej disa vitesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë