Drejtësia

Vrasja e ish-deputetit Ujka, autorët e dyshuar lirohen nga burgu falë videos-provë në Kosovë

Autori i dyshuar i vrasjes së ish-deputetit Pashko Ujka, Kristjan Kelmendi dhe bashkëpunëtori i dyshuar i tij, Marjan Kola janë liruar nga burgu për mungesë të provave.

Gjykata e Shkallës së Parë të Shkodrës, ndryshoi masën e sigurisë, nga “arrest me burg”, në “arrest shtëpie” për të dy.

Gjykata ka administruar një provë të re, pikërisht një video, ku përmes të cilës pretendohet se autori i dyshuar i vrasjes së ish-deputetit dhe bashkëpunëtori i dyshuar, ditën e ngjarjes kanë qenë në Kosovë.

Pas kësaj videoje, që është marrë si provë, gjykata vendosi t'i lirojë duke zutur masën e sigurisë.

Përveç kësaj videoje, Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër, është në pritje edhe të disa provave të tjera të këtyre dy shtetasve që mund të jenë sërish video, por edhe fatura të ndryshme të blerjeve apo prova të tjera që mund të faktojnë se dy të dyshuarit kanë qenë në Kosovë ditën kur u vra ish-deputeti Pashko Ujka.

Në seancën për masën e sigurisë më 4 dhjetor, autori i dyshuar Kristjan Kelmendi dhe Marjan Kola kanë mohuar përpara gjykatës autorësinë e vrasjes, duke thënë se ata kanë qenë në Kosovë.

Gjykata la një muaj kohë për të administruar këto prova, duke i lënë me masën e sigurisë “arrest me burg” me afat 30 ditor dhe tashmë pas këtij afati, ka mbërritur një prej provave që është pikërisht video e Kristjan Kelmendit dhe Marjan Kolës në një market në Kosovë, që përkon me kohën kur është kryer vrasja. Në rast se në gjykatë mbërrijnë prova të tjera që vërtetojnë përfundimisht se dy të dyshuar kanë qenë në shtetin fqinj, atëherë pala mbrojtëse do të kërkojë lirimin nga çdo akuzë të dy të dyshuarve.

Ngjarja ndodhi më 29 nëntor në lagjen “Vasil Shanto” në Shkodër, kur 64-vjeçari Pashko Ujka po lëvizte më këmbë me bashkëshorten e tij.

Dyshohet se Ujka është qëlluar me armë pistoletë silenciator nga një person i maskuar. Në dëshminë e saj, bashkëshortja ka thënë se ai ra menjëherë në tokë.

64-vjeçari mori një plagë në shtyllën kurrizore, duke ndërruar jetë në spital, pasi ishte futur në sallën e operacionit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë