Rend dhe Ligj

Vrasja e Marvi Mihalit, çfarë dëshmoi në gjykatë shoqja e ngushtë!

Shoqja e ngushtë e Marvi Mihalit, i riu që humbi jetën gjatë një sherri me thikë verën e kaluar, ka dëshmuar sot në Gjykatën e Tiranës.

Dëshmitarja Grejsi Stermasi, ka treguar se para ngjarjes, ajo së bashku me Marvin dhe disa miq të tjerë kanë qenë te sheshi “Nënë Tereza”, ndërsa e ka marrë Armendi në telefon dhe i ka thënë që të shkonte me të.

Sipas saj, i riu i ka thënë jo, por pas disa insistimeve të tij, ka shkuar. Në spital, tha dëshmitarja, Armendi i ka pohuar se Marvin e ka vrarë Dejvi Bitraj.

Dëshmi ka dhënë dhe Besim Sokolaj, i cili ka qenë prezent kur ka ndodhur krimi, pasi punonte roje në një kazino. Sokolaj tha se nuk e kishte parë momentin e vrasjes së Marvit, por vetëm një përleshje mes disa të rinjve. Sokolaj sqaroi se nuk kishte ndërhyrë, pasi nuk donte të rrezikonte vendin e punës.

Kjo dëshmi solli dhe reagimin e prindërve të Marvi Mihalit, të cilët thanë se ndërhyrja e rojes mund t’i kishte shpëtuar jetën djalit të tyre. Në seancën e ardhshme te datës 14 Janar do të japin dëshmitë e tyre dy personat e arrestuar Devi dhe Eugen Bitraj.

Ndërsa në kërkim vazhdojnë të jenë Marsel dhe Gridens Alla. Krimi tronditës ndodhi në korrik të vitit 2017, kur Marvi Mihali u qëllua me thikë për vdekje, pas sherrit për një karikues telefoni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë