Gazeta Si – Tri ditë pas ngjarjes në Rrëshen, ku pranë komisariatit të policisë në një lokal mbeti i vrarë Martin Bardhi dhe u plagosën tre të tjerë, janë shkarkuar disa zyrtarë të lartë të Drejtorisë Vendore të Lezhës.
Kështu, është shkarkuar nga detyra zëvendësdrejtori për Hetimin e Krimeve në Lezhë, Alfred Nomani dhe në vendin e tij është emëruar Kryekomisar Gentian Berberi.
Gjithashtu është shkarkuar edhe shefi i Sektorit për Rendin dhe Sigurinë të Lezhës, Kryekomisar Artur Cara.
“Koka iu pre” dhe shefit të Komisariatit të Policisë Mirditë, Komisar Paulin Çupi. Në vendin e tij është emëruar Klodian Kondi, i cili më herët ka qenë në Pogradec.
Pak ditë më parë Rrësheni i trondit nga atentati ndaj Martin Bardhit dhe plagosjes së tre personave të tjerë, ngjarja e cila ende ka mbetur ende pa autor.
Hakmarrja është pista kryesore që kanë hetuesit për vrasjen e 59-vjeçarit, i cili u qëllua teksa konsumonte një kafe nën shoqërinë e 3 personave të tjerë që mbetën të plagosur që janë jashtë rrezikut për jetën dhe po marrin ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Më shumë se 10 persona janë marrë në pyetje nga policia lidhur me vrasjen e Martin Bardhit, mes tyre edhe anëtarë të fisit Reçi.
Mes dëshmive të administruara janë dhe të qytetarëve të rastit që në momentin e vrasjes u gjendën në lokalin që ndodhet përballë komisariatit të policisë. Mësohet se ata kanë deklaruar që nuk kanë arritur të shquajnë autorët dhe se sapo kanë dëgjuar të shtënat e armëve janë shtrirë menjëherë në tokë.
Tre autorët që dyshohet se morën pjesë në vrasjen e 59-vjeçarit Martin Bardhi i njohur dhe me mbiemrin Marku ka dyshime të jenë ndihmuar nga një person tjetër që i priste në fshatin Gëziq të Rrëshenit.
Aty ata dogjën makinën pa targa të përdorur në krim që nga verifikimet rezultoi e vjedhur. Nuk dihet nëse këto ndryshime janë kryer për shkak të kësaj ngjarjeje, apo ka arsye të tjera.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.