Ngjarje

Vritet pranë komisariatit në Rrëshen Martin Bardhi, sapo kishte dalë nga burgu. Plagosen edhe 3 të afërm të tij. Shkak, konfliktet me fisin Reçi

Gazeta Si - Një 59-vjeçar, Martin Bardhi, i cili kishte pak kohë që ishte liruar nga burgu si i përfshirë në një ngjarje kriminale në mars të këtij viti, është ekzekutuar me armë zjarri në Rrëshen mëngjesin e kësaj të marte.

Ngjarja ka ndodhur vetëm 10 metra përballë komisariatit të Rrëshenit, në një lokal rreth orës 10:40, por ajo ka marrë përmasa të tjera, pasi të plagosur kanë mbetur tre qytetarë të tjerë, të cilët po konsumonin kafenë në lokalin e viktimës.

Policia konfirmon se përveç vrasjes së 59-vjeçarit, plumbat kanë prekur edhe tre shtetas të tjerë, të afërm të viktimës: Ilir Bardhoku, Olti Gjini si dhe Indrit Bardhi. Këta të fundit janë transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore më të specializuar.

Një prej tyre mësohet se rrezikon të humbasë krahun. I plagosuri tjetër ka marrë dëmtime në mushkëri e mëlçi, ndërsa tjetri në mushkëri.  

Atentator/ët më pas janë larguar me një fuoristradë të zezë. Ekzekutimi i tij paraprakisht dyshohet të ketë ardhur për motive hakmarrje. Kjo për shkak të konflikteve të shkuara mes fisit Bardhi dhe Reçi.

Ndërkohë, në fshatin Gëziq, Mirditë, është konstatuar duke u djegur një automjet tip fuoristradë, që dyshohet se është përdorur nga autorët për kryerjen e vrasjes.

Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe në ndihmë të Policisë lokale, janë nisur Forcat Speciale “RENEA” dhe FNSH, si dhe në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës, janë ngritur pika kontrolli.

Gjithashtu, drejt vendit të ngjarjes janë nisur Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe drejtorët e departamenteve të Policisë Kriminale, si dhe të Rendit dhe Sigurisë Publike.

Martin Bardhi u arrestua në muajin mars të këtij viti, si një nga autorët e të shtënave me armë në drejtim të makinës së Saimir Reçit në Rrëshen.

Kjo ngjarje ndodhi më 26 mars dhe të përfshirë ishin edhe djali i Martin Mardhit, Erind Bardhi dhe një 28-vjeçar tjetër me lidhje gjaku me familjen Bardhi.

Shkak për këtë ngjarje të rëndë u bë një sherr për vendin e parkimit mes Erind Bardhit dhe Saimir Reçit, nipi i Kastriot Reçit, pronarit të televizonit lokal në Lezhë të vrarë me snajper në muajin janar të vitit 2021 në Rrëshen.

Erind Bardhi shkoi më pas në banesën e tij së bashku me të atin, viktimën e ditës së sotme, ku mori armën e zjarrit dhe qëlloi mbi makinën e blinduar të Reçit në momentin që ai po largohej.

Reçi, si pasojë e të shtënave humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me bordurën e rrugës, por nuk u lëndua.

Autorët kanë qëlluar në një distancë të afërt në anën e shoferit të BMW-së, ç'ka e dëshmojnë dhe shenjat e plumbave, por mjeti i blinduar e shpëtoi Saimir Reçin pa marrë lëndime.

Për këtë ngjarje, Enrik Bardhi dhe kushëriri i tij 28-vjeçar u shpallën në kërkim për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Pas pak muajsh në qeli, Martin Bardhi doli nga burgu, si i dyshuar në përfshirjen e tij në ngjarjen kriminale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë