Ngjarje

Vrasja e Martin Bardhit ende pa autor, shoqërohen në polici disa anëtarë të fisit Reçi

Gazeta Si - Një ditë pas atentatit me një viktimë dhe tre persona të plagosur në Rrëshen, ngjarja vijon të mbetet pa autor.

Pas vrasjes së Martin Bardhit dhe plagojes së 3 të afërmve të tij në një lokal, policia ka shoqëruar disa persona.

Në komisariatin e Rrëshenit janë shoqëruar anëtarë të fisit Reçi, mes tyre edhe Saimir Reçi, i cili pati dhe konfliktin me viktimën në mars të këtij viti. Bashkë me të është shoqëruar edhe i ati i tij.

Në total deri më tani janë 10 të shoqëruar që janë marrë në pyetje. Anëtarët e fisit Reçi mësohet se kanë mohuar përfshirjen në atentat.

59-vjeçari Martin Bardhi u ekzekutua me breshëri automatiku, teksa ndodhej i ulur në lokalin e tij paraditen e së martës, në shoqërinë e 3 personave që mbetën të plagosur.

Teksa autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë nuk dihen ende, pista kryesore e policisë është ajo e hakmarrjes.

Martin Bardhi kishte pak kohë që liruar nga qelia e burgut. Ai ishte lënë me masën e sigurisë detyrim paraqitje, pasi në muajin mars u arrestua si një nga autorët e përfshirë në atentatin e dështuar, pikërisht ndaj Saimir Reçit.

Në mars të këtij viti Martin Bardhi dhe djali i tij dyshohet se qëlluan me armë Saimir Reçin pas një konflkti fizik.

59 vjeçari doli nga burgu pasi dëshmoi se në kohën që ndodhi krimi, kishte qenë në një vend tjetër. Për këtë ngjarje vijon të jetë në kërkim djali i tij.

Përplasja mes dy fiseve ka nisur që në vitin 1994 kur është vrarë Ilir Reçi. Për këtë krim akuzohet një nga anëtarët e fisit Bardhi. 

Drejtori i Policisë së Lezhës, Alfred Elezi, tha për mediat se hetimet janë në fazën e parë dhe po sqarohen konfliktet që fisi Bardhi ka pasur me fise të tjerë.

“Jemi akoma në fazën e parë. Dihen konfliktet që ka pasur fisi Bardhi me fise të tjera dhe po punojmë për zbardhjen dhe identifikimin e autorëve”.

Pas ngjarjes, autorët dogjën makinën me të cilin kishin kryer vrasjen në fshatin Gëziq.

Policia tha se kishte nxjerrë në terren forcat speciale RENEA dhe FNSH, duke vendosur postblloqe në Rrugën e Kombit, në drejtim të Kukësit, të Laçit, Lezhës dhe Dibrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë