Ngjarje

Vrasja e Martin Bardhit dyshohet për hakmarrje. Drejtori i Policisë së Lezhës: Dihet konflikti mes dy fiseve

Gazeta Si - Një konflikt mes fiseve Bardhi dhe Reçi dyshohet të jetë shkaku i masakrës së ndodhur në Rrëshen, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën rëndë tre të tjerë.

Drejtori i Policisë së Lezhës, Alfred Elezi, nga vendngjarja ka thënë se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ai pohoi se ngjarja ka ndodhur në lokalin e viktimës, Martin Bardhi, i cili po pinte kafe me tre të plagosurit.

“Në lokalin e tij është vrarë me armë zjarri Martin Bardhi dhe janë plagosur 3 të tjerë që kanë qenë në tavolinë me të. Autorët e ngjarjes janë dy persona të maskuar me fuoristradë të cilët pas ngjarjes kanë djegur makinën. Shkuam menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ku është djegur mjeti, territori po kontrollohet në mënyrë intensive. Ne po bëjmë veprimet e para, dihet konflikti që kanë pasur mes fisesh po punojmë për zbardhjen e ngjarjes. Të plagosurit janë nën kujdesin e mjekëve, ata ishin në tavolinë me viktimën”, - tha kreu i Policisë së Lezhës, Alfred Elezi.

Ndërkohë, mësohet se tre personat që mbetën të plagosur në lokalin ku u vra sot Martin Bardhi janë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Indrit Bardhi, Olti Gjini dhe Ilir Bardhoku janë dërguar me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në kryeqytet. Ata ishin të ulur në bar-kafenenë, në momentin kur autorët nxorën armët e zjarrit dhe qëlluan.

Hakmarrja është pista kryesore e hetimeve për vrasjen e 59-vjeçarit. Tetë muaj më parë, viktima kreu një atentat që mbeti në tentativë ndaj Saimir Reçit, nipi i Kastriot Reçit të ekzekutuar në vitin 2021 me snajper në Rrëshen.

Në fakt, Martin Bardhi sapo ishte liruar nga burgu, ku ishte lënë me masën e sigurisë detyrim paraqitje, pasi në muajin mars u arrestua si një nga autorët e përfshirë në atentatin ndaj Saimir Reçit së bashku me djalin e tij.

Të paktën dy persona të maskuar dyshohet se morën pjesën në ngjarjen e rëndë që ndodhi rreth orës 10:40.

Ata hapën zjarr me breshëri automatiku në drejtim të lokalit ku ndodhej shënjestra në qendër të Rrëshenit, duke vrarë pronarin e biznesit, Martin (Marku) Bardhi, 59 vjeç dhe duke plagosur 3 persona të tjerë që ndodheshin të ulur me të në tavolinë.

Pas ngjarjes së rëndë, dyshohet se fshihen e motivet e hakmarrjes mes fiseve Bardhi dhe Reçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë