Rend dhe Ligj

Vrasja e Laçit, Gjykata e Kurbinit ndryshon masën e sigurisë për Kreshnik Tushën

Gjykata e Kurbinit ka ndryshuar masën e sigurisë për 21-vjeçarin Kreshnik Tusha, i ndaluar për ngjarjen e 30 majit ku mbetën të vrarë biznesmenët Paulin Gjergji dhe Bujar Lika.

Nga masa “arrest me burg”,  gjykata caktoi ndaj 21-vjecarit masën e sigurisë arrest shtëpie, teksa vijojnë hetimet në lidhje me ngjarjen. Në fakt Kreshnik Tusha ishte emri i parë që u arrestua pasi shkoi për t’u mjekuar në spital. Policia dyshonte se Tusha ishte një nga 4 autorët dhe u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit në hotelin A&A ku ndodhi ngjarja. Masa e sigurisë për Tushën u ndryshua pas identifikimit dhe prangosjes së autorit të dyshuar.

Për këtë çështje janë vënë në pranga Eduard Lamaj dhe Ilir Xhepaj. Eduart Lamaj së bashku me Ilir Xhepaj, të veshur si policë, hynë në hotelin A&A në Kurbin ku qëlluan për vdekje dy biznesmenët. Lamaj u arrestua disa ditë më parë teksa po kurohej në një klinikë private në Qytetin Studenti në Tiranë në mënyrë ilegale. Ai kishte marrë një plumb ditën e atentatit dhe ishte fshehur prej 20 ditësh si i plagosur.

Ende në kërkim mbeten Elson (Oltion) Alija (Vlashi) dhe 21 vjeçari Klaudio Perkola, gjithashtu bashkëpunëtorë të Eduart Lamajt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë