Ekskluzive

Vrasja e Jetlirës / Flet autori i krimit: Postieri i solli ftesën për urdhër-mbrojtjeje, më pas e qëllova 2-3 herë me thikë

Gazeta Si - Policia ka administruar dëshminë e vrasësit të Jetlirës, Ramiz Mici, i cili ia ka hedhur fajin humbjes së qetësisë.

I dyshuari, bëhet me dije për burime të sigurta të Gazetasi.al ka rrëfyer se lidhja intime nisi me viktimën kur të dy ata ishin të martuar dhe bëhet fjalë për një histori 8-vjeçare.

Një lidhje që i çoi të dy në ndarje dhe që më pas në një luftë xhelozie nga njëra anë, por edhe mërish nga ana e familjarëve të vrasësit, të cilët një vit më parë shkëputën lidhjet me të, si një shenjë refuzimi për bashkëjetesën e dy të rinjve.

Gazetasi.al disponon dëshminë e vrasësit të nënës së dy fëmijëve, i cili thotë se një muaj më parë çifti provoi të ndahej, pasi gruaja ishte xheloze.

“Të martën e datës 26.07.2022, ne debatuam me njëri-tjetrin dhe atë ditë Jetlira me ka goditur me shpullë. Më pas, të nesërmen ka shkuar në polici për t’u ankuar ndaj meje dhe punonjësit e policisë më kanë shoqëruar”.

Në këtë mënyrë, rezulton se policia e Elbasanit kishte dijeni për dhunën në çift, pavarësisht se pas krimit e mohoi diçka të tillë, teksa gruaja ishte nën proces për urdhër-mbrojtjeje, ku humbi jetën pak ditë pas denoncimit.

“Nga ajo ditë ne nuk qëndruam më bashkë, unë qëndrova në katin e dytë dhe ajo në të parin të të njëjtës ndërtesë. Në datën 29 korrik isha në shtëpi dhe pa punë dhe në mëngjes mora vesh nga postieri se Jetlira kishte kërkuar urdhër- mbrojtjeje ndaj meje dhe më pas më njoftoi një punonjës policie për datën e gjyqit”.

Vrasësi shton se atë ditë, rreth orës 10:00 doli për kafe dhe konsumoi edhe pije alkoolike. Kur u kthye, ai pyeti të zonjën e shtëpisë, nëse e kishte parë Jetlirën.

“Më vonë, orën nuk e mbaj mend, pa asnjë lloj arsyeje kam marrë një thikë në dorë nga shtëpia dhe kam shkuar në katin e parë, ku banonte Jetlira dhe pasi kam hapur derën e katit të parë, hyra brenda. Jetlira ka dëgjuar zhurmat dhe ka ndezur dritën. Në atë moment, pa thënë asnjë fjalë, e kam goditur Jetlirën me thikë 2-3 herë, nuk  e mbaj mend mirë, më pas jam larguar”.

Ai qëndroi i fshehur dy ditët e fundit në një ullishte, derisa vendosi të afrohet pranë urës së Zaranikës, ku dhe e konstatoi policia.

Mbante veshur bluzën “Love” dhe kishte ftesën e gjykatës

“Jetlira ishte shtrirë e gjakosur dhe nuk reagonte”. Kështu e përshkruan policia e Elbasanit në dosjen që iu tregua Gazetasi.al për  krimin më të fundit, ku sërish viktimë ishte një grua dhe autor një burrë.

“Më datë 30.07.2022, rreth orës 00.53 është marrë njoftimi nga Salla Operative Elbasan për një dhunë në familje në lagjen ‘Skënderbej’ Elbasan. Menjeherë kanë shkuar shërbimet e policisë dhe kanë konstatuar brenda në banesën e saj shtetasen Jetlira Elezi, e cila ishte e shtrirë e gjakosur dhe nuk reagonte”, -  shkruhet me detaje.

Duke këqyrur shtëpinë në lagjen “Skeëderbej”, rruga “Shefikat Sefa”, Elbasan dhe konkretisht banesa e shtetases L.Z., policia hedh dritë mbi kushtet aspak të mira ku jetonte çifti.

“Ambienti ku ka ndodhur ngjarja, përbëhet nga kuzhina, një dhomë gjumi dhe tualeti. Kuzhina ka një sipërfaqe 2.2x6 metra, ku nga ana veriore ndodhet kundra-bufeja, një komo me televizor sipër saj. Nga ana lindore e kuzhinës, ndodhet një divan, një tavolinë dhe një ndenjëse. Në mes të kuzhinës, në dysheme dhe në largësi 1.6 metra nga dera hyrëse, shihet e shtrirë në shpinë Jetlira Elezi”.

Në dosje përshkruhet për Gazetasi.al, se gruaja mbante veshur një bluzë pa mëngë me ngjyrë të zezë dhe me mbishkrimin “LOVE” dhe pantallona të shkurtra me ngjyrë si të bardhë.

Policia i thotë Gazetasi.al, se u ndesh me njollat e gjakut, jo vetëm në kuzhinë, ku gjendej e shtrirë nëna e dy fëmijëve, por edhe në dhomën e gjumit.

Asaj iu gjet pranë një kuletë dhe 2 copë fletë-thirrje nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan në emër të Jetlira Xhevit Elezi, përmendet në dosje, duke hedhur poshtë versionin e policisë, që mohoi se gruaja nuk i kishte vënë në dijeni për dhunën.

Nëna e dy fëmijëve, të moshës 37 vjeç, u qëllua në gjoks dhe në kokë me armë të ftohtë nga Ramiz Mici, i cili sapo kreu krimin, u largua, duke lënë gjithçka në vend, përfshi edhe kuletën “Hugo Boss” dhe paratë që gjendeshin në të, si dhe telefonin.

Gruaja bëhet me dije se kishte disa plagë në trup, midis tyre edhe një shenjë që kuptohet se ishte e krijuar më herët nga dhuna.

Dëshmitarët

Njëri ndër dëshmitarët, tregon se ishte duke fjetur në banesën e tij, kur e zgjoi bashkëshortja, pasi dëgjoi zhurmën e derës.

“I thashë gruas ik e shiko se çfarë bëhet, pasi dera është e hapur, - shton dëshmitari sipas burimeve të Gazetasi.al. - Zbrita  në katin e parë të ndërtesës dhe pashë qe dera ku qëndron shtetasi Ramiz Mici ishte e hapur, më pas kam zbritur shkallët dhe kam shkuar tek cepi i majtë i oborrit, ku kam parë që dera e banesës së shtetases Jetlira Elezi, ishte e hapur dhe drita e ndezur dhe kam dalluar Jetlirën të mbështetur brinjas te dera e banesës në katin përdhe”.

Ndërsa bashkëshortja, i ka thënë që sapo ka parë Ramis Micin të dilte dhe të ecte me hapa të shpejtë.

Ai shton se Jetlira nuk po lëvizte dhe reagonte dhe ka njoftuar policinë. Ai sqaron se Jetlira dhe Ramizin i njeh si qiraxhinj në ndërtesën e tij dhe se si Ramizi ishte divorcuar nga gruaja dhe Edlira ishte divorcuar nga bashkëshorti, duke pohuar se nuk ka qenë në dijeni për ndonjë lidhje me njëri-tjetrin.

Ai vijon se para pesë ditësh, Ramizi dhe Jetlira “kanë pasur një situatë konflikti me njëri-tjetrin, nuk i di detajet, por di që Jetlira është ankuar në polici, ku më pas policia ka shoqëruar Ramizin”, - deklaron në dosje dëshmitari.

Burimet i referohen edhe dëshmisë së gruas së shtëpisë me inicialet L.Z. Edhe ajo, pasi dëgjoi zhurma, kujton se pa vrasësin duke dalë me nxitim nga shtëpia që çifti kishte dhënë me qira.

Ajo thotë se ka njoftuar bashkëshortin se është trembur dhe kanë zbritur poshtë për të shikuar, ka parë që dera ku qëndronte qiraxhiu Ramizi, ishte e hapur dhe se dera ku qëndronte Jetlira ishte hapur.

Më pas bashkëshorti Xhaferri ka kontrolluar tek hyrja e Jetlirës dhe ka parë që ajo ishte shtrirë tek pjesa e kuzhinës në korridor dhe nuk lëvizte.

Menjëherë ata kanë lajmëruar policinë. Ajo shton se Jetlira dhe Ramizi kohët e fundit kanë pasur zënka të vazhdueshme, sa kane shkuar deri në polici dhe se Jetlira ka marrë urdhër-mbrojtjeje.

Policia pranon në dosje se ushtroi kontrolle edhe në fshatin e autorit, që rezulton se është nga Mollari, por nuk gjeti asgjë.

I ati i tij, në një dëshmi të gjatë pranon se i ndërpreu marrëdhëniet me të birin, pasi Ramizi u nda nga nusja e parë dhe se prindërit e autorit vendosën që t’i rrisin ata fëmijët e djalit nga martesa e parë.

“Nisi të bashkëjetojë me Jetlirën dhe dyshonim se ajo kishte një lidhje tjetër, ndaj ata u larguan drejt qytetit të Elbasanit“.

Gjithë familja pranon se e kishte braktisur dhe këtë e konfirmon edhe i vëllai i tij.

Sipas dosjes që disponon Gazetasi.al, babai i Jetlirës kujton për policinë se e bija ishte ndarë dy vite më parë nga bashkëshorti i parë dhe vendosi të bashkëjetojë me Ramizin.

“Kur nisën zënkat për çështje xhelozie, shkova dhe i ballafaqova që ata të pajtoheshin dhe në këto kushte kuptova se Ramizi bëhej xheloz për dy fëmijët e tij që i kishte nga martesa e parë dhe që Jetlira nuk i trajtonte njësoj me fëmijët e saj“.

Në këto debate, sipas policisë, gruaja nga martesa e parë ka marrë dy fëmijët e Ramizit, për këtë arsye dhe Ramizi ka shkuar ne Greqi.

Policia thotë se kur bashkëjetuesi u kthye nga Greqia, ata u pajtuan sërish dhe nisën bashkëjetesën deri ditën kur u grindën sërish dhe gruaja kërkoi ndihmën e policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë