Drejtësia

Burg për burrin që vrau partneren me thikë. Kërkon avokat nga shteti në gjykatë

Gazeta Si - Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg 37-vjeçarin Ramis Mici, i cili vrau bashkëjetuesen e tij, Jetlira Elezi, pak pas mesnatës së 30 korrikut.

Mësohet se në sallën e gjyqit ai është shprehur se “nuk mban mend ditën e lindjes dhe ka pranuar akuzën se ka qenë i dënuar më parë për dhunë.”

Mici gjithashtu ka deklaruar se nuk ka lekë për të paguar avokat dhe ka kërkuar një avokat nga shteti. Avokati i caktuar nga shteti, kërkoi analizimin e gjendjes se tij mendore, gjë që nuk u pranua nga gjykata.

Po ashtu pala mbrojtëse ka kërkuar ekspertizën e thikës, e cila gjithashtu u refuzua.

Ngjarja e rëndë dyshohet se ndodhi  për motive xhelozie, me viktimën që vetëm pak ditë më parë kërkoi urdhër-mbrojtje nga policia pas zënkave që kishte me bashkëjetuesin e saj.

Për shkak të konflikteve të ditëve të fundit, ata jetonin në një banesë, por në dhoma të ndryshme.

Megjithatë as kjo nuk e shpëtoi nga vdekja Jetlira Elezin nënë e dy fëmijëve nga martesa e mëparshme.

Pronari i banesës ku dy 37-vjeçarët jetonin me qira ka treguar për mediat se para pesë ditësh ata kishin pasur një zënkë.

Pas konfliktit, Ramis Mici vijoi të jetonte në ambientet që ata kishin marrë me qira në katin e tretë.

Ndërsa Jetlirën pronari i shtëpisë e kishte siguruar në ambiente të tjera në kat të parë. Ishte ai që e gjeti 37-vjeçaren të mbuluar nga gjaku.

Ndërkohë, vëllai i 37-vjeçares Jetlira Elezi paralajmëroi përmes një postimi në rrjete sociale se do të hakmerret për të.

Ai i është drejtuar autorit Ramiz Mici duke i thënë publikisht se do të vrasë të afërmit e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë