Lajme

Vrasja e ish-policit të Ervis Martinajt, pistat ku po hetohet

Pistat ku po heton policia për ekzekutimin mafioz të 26-vjeçarit Santiago Malko, ish-efektiv i patrullës së përgjithshme, në ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së martës, janë dy dhe që të dyja lidhen me dy ngjarje kriminale të ndodhura në 2016 dhe 2018.

Në 2016, viktima u përfshi në një sherr me dy vëllezër për një borxh. Të dyja palët kishin në të njëjtën zonë dy lokale bastesh sportive. Sipas njoftimit të shpërndarë nga policia në atë kohë, Santiago Malko ka hyrë në lokalin e dy vëllezërve dhe është konfliktuar me ta. Në sherr e sipër ai është përpjekur që të nxjerrë pistoletën, por është bllokuar nga dy vëllezërit.

Ngjarja e dytë është ajo e tetorit të 2018, e ndodhur në ish-Bllok, ku u vra Fabian Gaxha dhe mbetën të plagosur Ervis Martinaj dhe Elio Hato. Në pamjet e shpërndara në media në atë periudhë, Santiago Malko mendohet se është personi me kapele që hyn dhe del nga vendi i ngjarjes.

Ish-efektivi i Policisë së Shtetit shoqëronte Ervis Martinajn dhe burime nga policia thonë për gazetën “Si” se ai ka shërbyer si truproje e Martinajt në më shumë se një rast. Nuk përjashtohen as pistat e tjera, njëra prej të cilave është ajo e larjes së hesapeve, nisur nga aktiviteti i rënduar ilegal i 26-vjeçarit, që dyshohet se organizonte dhe baste sportive në mënyrë të paligjshme.

Santiago Malko u ekzekutua rreth orës 22:20 minuta në zonën e Porcelanit. Ai u qëllua në momentin që ndodhej brenda makinës së tij, tip BMW X5. Policia u vu në lëvizje dhe pak më vonë gjeti një automjet tip Mercedes Benz të djegur në fshatin Ferraj.

Policia dyshon se autorët kanë qenë dy persona, që pasi janë siguruar që kanë vrarë shënjestrën e tyre janë larguar me shpejtësi me automjetin në fjalë dhe për të humbur gjurmët i kanë vënë flakën.

Dyshohet se autorët e kanë ndjekur prej ditësh viktimën, duke shenjuar lëvizjet e tij, deri në momentin kur kanë gjetur rastin për të kryer ekzekutimin. Burimet thonë se nga mënyra e ekzekutimit dhe e lëvizjes së autorëve, besohet se ata janë vrasës me pagesë.

Policia deklaron se deri më tani ka shoqëruar 10 persona që dyshohet se mund të kenë dijeni për ngjarjen. Deri më tani asnjëri prej tyre nuk është akuzuar si pjesë e ekzekutimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë