Ngjarje

Hetimet për vrasjen e ish-deputetit/ Misteret e një krimi: Autori lëvizi me shpejtësi sapo pa Ujkën, por duket në hije

Trupi i tij i veshur me të zeza, është trup i mbushur, i ngjashëm me Marjan Kolën ose Aleksandër Kelmendin (i cili ndodhet në Kosovë) - deklaroi prokurori gjatë seancës ndaj dy të arrestuarve për vrasjen e ish-deputetit Pashko Ujka, i cili u qëllua pas shpine në 29 nëntor dhe humbi jtën në spital.

Por të dhënat e vakta, e shtynë gjyqtarin që t’i lërë në ‘arrest me burg’ me afat dy të dyshuarit (20 dhe 53 vjeç), të cilët kishin alibinë se kryen qitje në një poligon dhe ndaj duart e tyre kishin faktorë plotësues, të tillë si baruti.

Por sipas burimeve shumë të sigurta të Gazetasi.al një kamerë sigurie e vendosur në një bankë, i ka bindur prokurorët dhe policinë e Shkodrës, se vrasësi ka qenë duke e pritur viktimën në lulishte.

“Ne mendojmë që autori po e priste, - shkruan në dosje policia, - dhe rruga e largimit të autorit, duhet të jetë ngjitur me Kishën Ortodokse për në shesh ose në drejtim të Xhamisë së Madhe dhe të ‘Dollarit’”.

Por opsionet e shumta të dyshimeve, pa saktësuar se cila është “ hija“ që po e priste Pashko Ujkën, i vitlindjes 1957, lënë gjithashtu shtigje për interpretime dhe për të dalë në konkluzionin, se dy të dyshuarit  mund të jenë arrestuar pa prova konkrete , por vetëm me dyshime bazuar në rrëfimet e familjarëve, që treguan se me kë kishte konflikte viktima.

Policia përshkruan çastet e pritjes së vrasësit: vërehet se ka një lëvizje personi, por pamjet janë jo të qarta, është kamera pa rezulucion, errësisë e bimësi,  megjithatë duken lëvizje të një hijeje në vendin që po afrohet viktima, pasi ai lëviz me shpejtësi sapo afrohet çifti Ujka.

Kamera tjetër, që lidh të akuzuarit me ngjashmërinë e hijes që priste në vendngjarje, ilustron në rrugicën që të nxjerr nga vendngjarje, e mandej në pedonale një trup të mbushur, për të cilin policia nuk i vë pikat mbi “I” nëse është Marjan Kola apo Kristjan Kelmendi.

“Ai ka kapelë të zezë me strehë në kokë, me kapuç pas qafe, në dukje mban doreza në duar dhe ka maskë anti-Covid në fytyrë”.

Hetimi që mbahet i gjithë mbi mënyrën si ecën vrasësi i dyshuar në këto çaste që i dallohet vetëm silueta, shpjegon po ashtu se vrasësi në këto çaste largimi rregullon kapuçin, e mban kokën ulur, ecën me hapa të vegjël, por të vendosur dhe të shpejtë.

Policia i thotë Gazetasi.al, se vrasësi, nga këqyrja dhe ekzaminimi i kamerës së sigurisë, mban në dorë një qese, por pa e përcaktuar nëse ajo është vërtet qese apo çantë e zezë.

“Mund të jetë qese apo çantë e zezë që mban armën dhe kjo shpjegon dhe mungesën e gëzhojës“, - pohon policia për Gazetasi.al, ndërkohë që dhjetëra kamera të tjera sigurie pritet të këqyren për të vërtetuar itenerarin që ndoqi në këmbë vrasësi i ish-deputetit e ish-kryetarit të komunës së Velipojës

Viktima sapo doli nga banesa

Të bindur se kanë siguruar dëshmitë kryesore të dëshmitarëve okularë, prokurorët i thonë Gazetasi.al, se dosja megjithatë duhet plotësuar me prova të tjera e për këtë arsye, masa e sigurisë është caktuar me afat.

“Natyrisht që policia duhet të jetë më bindëse, këto janë veprimet dhe dyshimet e para dhe agjentët e krimeve po mbledhin informacione në rrugë operative për të parë më tepër mbi lëvizjet e dy të rinjve, të cilët këmbëngulin se janë të pafajshëm dhe nuk janë ata vrasësit”, - tha një nga zyrtarët e policisë së Shkodrës për Gazetasi.al.

Nëse ky ishte një arrestim i nxituar, nga frika se mos dy të dyshuarit largoheshin dhe pa u blinduar me prova, zyrtari i policisë e mohon kategorikisht.

“Ne jemi të bindur, që Pashko Ujka u qëllua me armë zjarri për shkak të konflikteve të pronësisë, gjithçka mbetet është çështje provash”.

I ndjeri u plagos rëndë sapo doli nga shtëpia e tij në lagjen “Vasil Shanto” thuhet në dosje dhe gjendej nën shoqërinë e bashkëshortes dhe të vëllait. Banesa ndodhet ngjitur me lulishten ku e priste vrasësi. Çifti eci në këmbë në drejtim të zonës që njihet si “Dollari”.

Pastaj, në drejtim të Kishës Ortodokse, pranë një kioske, Pashko Ujka ka blerë një paketë cigare dhe është kthyer me drejtim pallatit ku jetonte. I vëllai që sapo ishte shkëputur prej tyre, i thotë policisë se u kthye menjëherë sapo e njoftoi kunata. Sakaq ish-deputeti ishte qëlluar me një plumb në shtyllën kurrizore, që i preku edhe stomakun dhe pikërisht ky plumb rezultoi fatal, pasi ai nuk mundi t’i mbijetojë atentatit.

“Babai im kishte konflikte”

Djali i viktimës ka folur i pari, bën me dije Policia e Shkodrës për Gazetasi.al. E.U., pohon se i ati kishte mosëmarrëveshje me shtetasin Aleksandër Kelmendi (që gjendet në Kosovë, babai i Kristjanit), për arsye se i kishte dhënë një apartament të dyshuarit, por ai nuk kishte bërë shlyerjen e pagesës. “Për këtë arsye, babai e nxorri Aleksandrin dhe familjen e tij nga shtëpia”, rrëfen i biri.

Por sistemi ‘Tims’ në kufi, vërteton që Aleksandër Kelmendi gjatë ngjarjes nuk ndodhej në Shqipëri dhe këtë e vërteton jo vetëm sistemi që përdoret në kufi, por edhe fakti i udhëtimit të të birit, Kristianit, i cili u arrestua në tentativë për të dalë nga Shqipëria.

Në dosjen hetimore thuhet: “Kristiani ka dalë në datën 24 nëntor 2021, ndërkohë që në datën 30 nëntor, ai regjistrohet përsëri në hyrje të pikës kufitare të Morinës në Kukës. Ky shtetas u shoqërua së bashku me shtetasin tjetër, Marjan Kola, - deklaron policia në dosje e siguruar nga Gazetasi.al. - Ata po udhëtonin me automjetin me targa **292** që më vonë u sqarua që e kishte për përdorim Kristjan Kelmendi. Dy të arrestuarit treguan se ishin shokë me njëri-tjetrin dhe se Marjani kishte njohje me Aleksandrin”.

“Ne shkuam në Kosovë  në datën 28 nëntor për të takuar Aleksandrin që banon atje me Marjanin për të bërë shoping, - tha i biri i të kërkuarit . - Ne bëmë qitje me armë zjarri në një poligon të licencuar”.

Dy të dyshuarit insistojnë se qëndruan në banesën e Aleksandrit në Prishtinë, por policia i ka kapur pas dëshmisë së djalit të viktimës dhe këmbëngul se faktorët plotësues në dorën e njërit prej tyre janë një provë disi e mjaftueshme.

“Të tjerat janë alibi”-, këmbëngul zyrtari i policisë, i cili sidomos i konsideron këto elementë si faktorë plotësues.

Kristjani këmbëngul se viktima përdori policinë dhe shtetin për të zgjidhur një konflikt për shtëpinë që ata e kishin blerë.

“Ne paguam 20 mijë euro, ia dhamë shtetasit Pashko Ujka, por ai e mori përsëri këtë banesë, duke përdorur kallëzimin dhe duke përdorur policinë”, - raporton Gazetasi.al.

Tanimë nën akuzë për vrasje me paramendim, fati i të riut, por edhe hetimi i autoriteteve, varet nga tabulatet telefonike që janë dërguar në laboratorin e policisë shkencore, si dhe të disa kamerave të tjera në këtë qytet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë