Ngjarje

Vrasja e ish-deputetit, Pashk Ujka dyshohet se u vra për ‘borxhin’ 30 mijë euro

Një ditë më parë një 20-vjeçar është ndaluar nga Policia e Shkodrës në lidhje me atentatin ndaj ish-deputetit dhe ish-kryekomunarit Pashk Ujka, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së hënës.

Bëhet fjalë për Kristjan Kelmendin, i cili është ndaluar nga policia si autor i dyshuar i vrasjes, ndërsa në pranga ka përfunduar edhe shtetasi Marjan Kola, 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në krim. Autori i dyshuar mendohet se kohët e fundit ka pasur një konflikt me viktimën për një borxh.

Sipas burimeve policore, që i referohet gazeta “Panorama”, Pashk Ujka i ka shitur 20-vjeçarit Kelmendi një shtëpi para pak vitesh ku ka jetuar viktima.

Ajo banesë, në kohën kur jetonin familjarët e ish-deputetit është përfshirë nga një zjarr dhe aty ka humbur jetën një prej familjarëve të viktimës dhe në këtë mënyrë Ujka ka vendosur ta shesë.

Blerësi është shtetasi Kristjan Kelmendi, i cili pasi ka paguar një pjesë të parave për shtëpinë e blerë, ka pasur për t’i dhënë edhe një shumë prej 30 mijë eurosh. Por biznesmeni Ujka në atë kohë i ka thënë nuk i donte ato para, duke qenë se aty ka humbur jetën një familjar i tij.

Pas kësaj historie, kohët e fundit, për shkak të problemeve ku dyshohet se është futur me borxhe të pashlyera, viktima ka telefonuar 20-vjeçarin, i cili ndodhej në Itali, duke i kërkuar që t’i japë shumën prej 30 mijë eurosh. Por i riu ka kundërshtuar kërkesën, duke thënë se është një bisedë e mbyllur mes tyre.

Sipas dyshimeve, ish-deputeti i ka thënë se nëse nuk i kthen paratë në pak kohë, do t’i nxjerrë familjen jashtë nga shtëpia që i kishte shitur.

Palët kanë debatuar mes tyre dhe më pas Kelmendi dyshohet se ka ardhur nga Italia dhe ka ruajtur ish-deputetin, duke e qëlluar mbrëmjen e 29 nëntorit afër banesës së tij në qendër të qytetit të Shkodrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë