Treg

Vrasja e gjeneralit iranian “fluturon” naftën në bursa

Tregjet ndërkombëtare reflektuan menjëherë vrasjen e gjeneralit iranian, Qassem Soleimani dhe përshkallëzimin e tensioneve mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Nafta u rrit me rreth 4 për qind në tregjet ndërkombëtare, duke shkuar në 68 dollarë për fuçi, duke iu përafruar çmimit që ceku në muajin shtator, kur u sulmuan me dronë fushat naftënxjerrëse në Arabinë Saudite.

Tregjet nga ana tjetër pasqyruan edhe pasigurinë. Të gjitha bursat, nga Tokio e deri në Nju Jork regjistruan rënie nga 1 deri në 1.5 për qind. Aksionet u rritën vetëm për arin dhe për bonot e qeverive, që sipas ekspertëve reflekton trembjen e investitorëve që rrisin kërkesën dhe investimet e tyre tek produktet që ofrojnë më shumë siguri financiare.

Ari u rrit me 1.3 për qind, duke kapur 1549 dollarë për onz, ndërsa rritje të aksioneve të bonove qeveritare u reflektuan thuajse në të gjitha vendet e Bashkimit Europian dhe në Shtetet e Bashkuara.

Jeni japonez, që nga investitorët konsiderohet si barometri klasik i matjes së nivelit të panik në tregje pësoi rritje me 0.5 për qind kundrejt dollarit, duke kapur këmbimin më të lartë që prej muajit tetor të vitit të kaluar.

“Vrasja e Soleimanit lëshon alarmin e një rrisku gjeopolitik më shumë se serioz. Kjo duhej të ishte një fundjavë pushimi për shumë investitorë, që tani janë të detyruar të mblidhen urgjentisht për të analizuar nivelet e rrezikut”, thotë për Financial Times Oliver Jakob, drejtues i “Petromatrix”, kompani që ofron ekspertizë dhe këshillim për investitorët në fushën e tregtisë së naftës.

Ekspertët parashikojnë disa skenarë. Ai që shikohet si më pak i mundshmi në këtë fazë të tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit është që dy vendet të zbusin tonet dhe të shmangin përballjen frontale, çka do të qetësonte tregjet.

Skenari tjetër e sheh vrasjen e Soleimanit si pikën kulmore, që në varësi të vendimeve që do të marrin në Uashington dhe Teheran do të jetë vendimtare edhe për tregjet globale. Por, një pjesë e ekspertëve këtë skenar e cilësojnë si zgjatje “të vuajtjes dhe dhimbjes së kokës” për investitorët në tregjet globale.

Skenari ekstrem është ai që konflikti i drejtpërdrejtë i Iranit me SHBA të çojë në mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, ku kalon 20 për qind e naftës që konsumon sot e gjithë bota. Kjo do të thotë se tregjet do të hynin në një krizë të thellë, ku në projektimet më optimiste çmimi i naftës të mos rritet më shumë se dyfishi i çmimit aktual, pra 120 dollarë për fuçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë