Gazetarja investigative Daphne Caruana Galizia e kaloi shumicën e jetës së saj duke hetuar korrupsionin endemik të elitës politike të Maltës, shteti më i vogël anëtar i Bashkimit Europian.
Vrasja e saj në tetor të vitit 2017 ka ngritur jo vetëm alarmin për shkallën e kriminalitetit dhe degradimit të institucioneve, por ka sjellë edhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme të Bashkimit Europian.
Atentati mafioz ishte një këmbanë alarmi për Brukselin, i cili i ka dhënë një goditje të fortë kryeministrit të vendit, duke “kërkuar kokën e tij”. U deshën dy vjet, por kryeministri Joseph Muscat ka vendosur të japë dorëheqjen pas presionit të eurodeputetëve dhe kryeministrave të vendeve anëtare, pas daljes në dritë të provave që e lidhin atë dhe qeverinë e tij me vrasjen e Caruana Galizia.
Muscat u përpoq të vononte hetimet, por falë ndërhyrjes së Komisionit Europian provat sapo kanë filluar të shfaqen duke implikuar anëtarët e qeverisë së kryeministrit maltez në këtë atenat. Jo vetëm kaq, por tanimë KE-ja pritet të nisë hetime edhe për rolin e saj si parajsë fiskale në det të hapur dhe korrupsionit endemik në vend.
Ndërhyrja e BE
Përgjatë tre muajve të fundit, eurodeputetët e Partisë Popullore Europiane dhe ata të një sërë familjesh të tjera politike kanë bërë thirrje për dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Joseph Muscat, duke shkaktuar një sërë përplasjesh të ashpra në Parlamentin Europian. Tensionet arritën kulmin në dhjetor ndërkohë që thirrjet për dorëheqjen e tij u intensifikuan në Bruksel, mes akuzave se Muscat po përpiqej të bllokonte hetimet.
Manfred Weber, udhëheqësi i PPE-së, grupit më të madh politik të Parlamentit Europian, ka kërkuar me javë të tëra që BE-ja të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj kryeministrit maltez. Duke folur disa javë më parë në një mbledhje të PPE-së, politikani konservator gjerman tha se nuk e kuptonte përse Muscat po vononte dorëheqjen. Të tjerë eurodeputetë kanë paralajmëruar po ashtu se “mbretërimit të tij” i kishte ardhur fundi.
Po atë ditë, Kryeministri holandez Mark Rutte u tha gazetarëve se kishte pasur një diskutim të gjatë me Muscat , ku i kishte kërkuar personalisht të linte detyrën.
Rutte tha se ishte "thelbësore" që qeveria malteze të distancohej nga hetimi për vrasjen e gazetares, duke sugjeruar se dorëheqje e Muscat do të ishte mënyra e vetme për të çuar përpara këtë procesin. Thirrje të ngjashme ka pasur edhe nga kryeministri francez Emmanuel Macron, i cili i ka kërkuar një monitorim serioz të sundimit të ligjit në Maltë.
Caruana Galizia i kishte kushtuar jetën e saj hetimit dhe ekspozimit të rasteve të korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisë malteze. Ish shefi i shtabit të qeverisë, Keith Schemb po përballet me akuza se është përpjekur të ndikojë në hetimin penal, për të nxjerrë të pafajshëm një nga të akuzuarit.
Schembri njihet si një nga njerëzit më të afërt të Muscat. Për më tepër, një dëshmi e fundit në gjykatë sugjeron përfshirjen e zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe stafit të afërt të kryeministrit maltez në vrasjen e gazetares. Në nëntor, dy ministra dhanë dorëheqjen mes akuzave se kishin manipuluar provat e vrasjes brutale të Galizias.
Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli ka dërguar në dhjetor një delegacion eurodeputetësh në Maltë për t’i përçuar kryeministrit maltez edhe njëherë kërkesën për dorëheqje si dhe për të kërkuar vazhdimin e hetimeve.
Pjesë e këtij misioni ishin Juan Fernando López Aguilar, kryetar i komitetit të Parlamentit për liritë civile dhe Sophie in 't Veld, një eurodeputete liberal holandeze. Kur u kthye nga Malta, Veld tha se Muscat duhet të largohej menjëherë" në mënyrë që të ruhet pavarësia e hetimeve.
Pas një takimi me këtë delegacion, presidenti i PE-së, Sassoli nuk e mohoi mundësinë e nisjes së hetimeve të drejtpërdrejta ndaj vetë Muscat, duke këmbëngulur që një proces ligjor po zhvillohet aktualisht në Maltë dhe që do të nxjerrë përfundimet e veta.
Por goditja përfundimtare ndaj Moscat do të vinte pas një rezolute të Parlamentit Europian, e cila i bënte thirrje Komisionin Europian të monitorojë nga afër sundimin e ligjit në Maltë me në fokus mbarëvajtjen e hetimeve për vrasjen e gazetares. Rezoluta "thekson" se "rreziku" i manipulimit të hetimeve "vazhdon për aq kohë sa kryeministri mbetet në detyrë. "
Joseph Muscat, jo vetëm që është diskredituar nga familja e tij politike europiane, SocialDemokratët, por është përballur me thirrjet se nëse nuk dorëhiqet, Malta mund të përballet me Nenin 7.
Ky nen i quajtur si "opsioni bërthamor" parashikon sanksionet dhe humbjen e të drejtës së votimit për të gjitha vendet anëtare që shkelin vlerat themelore të demokracisë, drejtësisë dhe sundimit të ligjit.
Kjo do ta shtynte në mënyrë simbolike vendin në cepin më të largët të BE-së dhe duke iu nënshtruar rregullave dhe detyrimeve të BE-së, pa u lejuar të marrë pjesë në vendimmarrjen e Këshillit Europian. Procedurat e nenit 7 kanë filluar vetëm kundër Polonisë në dhjetor 2017, dhe kundër Hungarisë në Shtator 2018, megjithatë Këshilli Europian nuk ka votuar ende për vendosjen zyrtare.
Kush e vrau gazetaren?
Autoritetet malteze raportohet se e kanë identifikuar një nga “porositësit” e atentatit ndaj Galizias, Jorgen Fenech, një biznesmen i fuqishëm maltez, i cili kontrollon një kompani energjetike, e cila ka marrë dhjetëra tendera nga qeveria e Muscat. Në nëntor, Fenech u arrestua, ndërsa u përpoq të ikte nga Malta në bordin e jahtit të tij luksoz dhe më pas u akuzua për bashkëpunim në vrasjen e Caruana Galizia. Tre të tjerë janë akuzuar për kryerjen e vrasjes, por të gjithë ata që janë të përfshirë mohojnë me forcë çdo keqbërje.
Por nëse vrasësit e Caruana Galizia kishin për qëllim t’i “mbyllin gojën” dhe të frikësonin gazetarët e tjerë për të mos hetuar aferat e korrupsionit në Maltë, plani i tyre duket se është kthyer në një bumerang.
Rrethanat tronditëse të vdekjes së saj çuan në një zemërim ndërkombëtar dhe rrugët e kryeqytetit të Maltës janë bllokuar muajt e fundit nga protestuesit që kërkuan dorëheqjen e Muscat dhe një hetim të plotë mbi vrasjen e saj, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të qeverisë.
Kërkesat e vazhdueshme të familjes së saj për drejtësi gjithashtu kanë ndihmuar për të mbajtur ngjarjen në qendër të vëmendjes, pasi mediat nga e gjithë bota janë bashkuar në atë që quhet “Projekti Dapne”, për të vazhduar hetimet që ajo kishte nisur.
Edhe pse vrasja e Galizia me siguri ka luajtur një rol të rëndësishëm në përqendrimin e vëmendjes ndërkombëtare ndaj korrupsionit në Maltë, shkaqet kryesore të këtij skandali shkojnë përtej vrasjes së saj dhe dorëheqjet e zyrtarëve të lartë të qeverisë nuk do t'i zgjidhin ato. Degradimi i institucioneve politike të Maltës është rezultat i vendimeve të gabuara nga qeveritë e njëpasnjëshme, si dhe dështimit të BE-së për të monitoruar këtë situatë.
Sjellja e vrasësve të Caruana Galizia para drejtësisë duhet të jetë një përparësi kryesore për qeverinë e ardhshme të Maltës, jo vetëm për hir të familjes së saj, por edhe për të rikthyer reputacionin historik të ishull si një demokraci që respekton sundimin e ligjit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.