Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në një konferencë për mediat ngriti akuza ndaj qeverisë se ka mbështetur me financime gjatë viteve në kërkim personin që vrau mëngjesin e djeshëm efektivin e policisë Enea Mekollin.
“Enea Mekolli ishte një i ri idealist, i cili pasi vëllai i tij në polici ndahet nga jeta për shkak të një sëmundje, kërkon të vazhdojë misionin e të vëllait, sigurimin e jetës, veprimtarisë, ligjit të qytetarëve shqiptarë. Në këtë aspekt, ai është dy herë dëshmor. Dhe familja e tij është një familje me kontribute shumë të mëdha për sigurinë e qytetarëve, jetës, veprimtarisë, rendit, ligjit të qytetarëve shqiptarë.
Por, aq sa është e dhimbshme vrasja mizore nga një dorë kriminale e policit në detyrë, aq kriminale e shëmtuar është qëndrimi i narkoshtetit ndaj vrasësit, i cili kishte 9 vite në kërkim, gjoja në kërkim, dhe që financohej nga fonde shtetërore për të ndërtuar stalla, konaqe, ngrehina, mbarështuar bagëti sikur të ishte një fermer i nderuar.
Vrasja e Enea Mekollit dëshmon në mënyrën më të qartë se rendi, ligji, siguria në këtë vend është në dorë të krimit. Është në dorë të kriminelëve. Vrasësi i Enea Mekollit nuk mund të qëndronte 9 vite në kërkim, të mbarështonte bagëti dhe stalla pa përkrahjen e fortë të pushtetit. Dhe siç dëshmojnë dokumentet, ajo përkrahje ka ardhur edhe me financime falas ndaj veprimtarive të tij”, tha Berisha.
Sipas tij, e gjithë kjo histori dëshmon lidhjet e qeverisë me krimin.
Berisha shtoi se vrasja e efektivit 34-vjeçar duhet hetuar edhe sa i takon procedurave të ndjekura për zhvillimin e operacionit për arrestimin e të dyshuarit.
Ai ngre disa pyetje: “A ishte njësia e tij, ajo që duhej të dërgohej për arrestimin apo neutralizimin e një banditi të armatosur? E një krimineli të armatosur? Apo janë njësitë e tjera, ato të cilat në ligj kanë detyrë të përmbushin këtë mision? A ishte njësia e Mekollit, e pajisur me të gjitha mjetet për mbrojtje nga armët e zjarrit?”
Berisha thotë se është shumë e vështirë të besohen komunikatat e kreut të policisë Skënder Hita, për të cilin thotë se sipas tij duhej të kishte dhënë dorëheqjen.
“Çdo komunikatë dhe çdo veprim bëhet sipas tij me miratimin e drejtorit të përgjithshëm në polici, ndaj ai pyet: Cili ishte roli i tij në këtë operacion? Sa e vërtetë është dhe çfarë lloji jeleku antiplumb kishte Enea Mekolli?”
Të gjitha këto pyetje, Berisha thotë se duhet t’i shqyrtojë Komisioni i Sigurisë në parlament. Po ashtu i bëri thirrje edhe prokurorisë të hetojë.
Lideri demokrat thotë se një operacion i tillë, për kapjen e një personi me rrezikshmëri të lartë “më së paku mund të thuhet i keqorganizuar, i keqplanifikuar”.
Në fund të fjalimit, kreu i opozitës mbajti një minutë heshtje për dëshmorin e kombit, Enea Mekolli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje