Lajme

Vrasja e Polisë, i arrestuari: Ia dhashë makinën, s’e dija se do të bënte vrasje

Tre të ndaluarit nga ana e Policisë së Shkodrës kanë mohuar akuzat ndaj tyre duke thënë se ata nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen e 32-vjeçarit, i cili u qëllua me 20 plumba në fshatin Grudë të njësisë Rrethina në Shkodër.
Policia ndaloi shtetasit Gilbert Toma, Kleandro Toma dhe Alfred Martini si bashkëpunëtorë, ndërsa shpalli në kërkim shtetasin K. S i dyshuar si autor i vrasjes të Nard Polisë. Të tre të ndaluarit kanë deklaruar pasi janë marrë në pyetje se ata nuk kanë asnjë lidhje me vrasjen dhe mohojnë çdo akuzë ndaj tyre.
Alfred Martini ka pranuar se i ka dhënë makinën e tij autorit të vrasjes me inicialet K. S ditën e ngjarjes, por thotë se nuk e dinte se kishte planifikuar krimin. “Makinën më datë 20 mars në mëngjes ia kam dhënë shtetasit K. S., por nuk e dija që ai kishte planifikuar vrasjen”, tha ai. Makina tip Audi u gjet e braktisur pas vrasjes.
Policia i akuzon se tre të arrestuarit ndihmuan autorin e vrasjes, K. S. 27 vjeç, që ndodhet në kërkim. Të arrestuarit, sipas policisë i siguruan armët dhe makinën dhe e kanë strehuar pas vrasjes autorin. Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar 7 telefona, 17 fishekë të kalibrave të ndryshëm, targa të ndryshme automjetesh shqiptare dhe të huaja dhe dokumente të ndryshme.
Polia u ekzekutua me breshëri para një jave në Shkodër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë