Politike

Vrasja e 35-vjeçarit grek trazon raportet Greqi-Shqipëri

Vrasja e 35 vjeçarit Kostandinos Kaçifa trazoi jo vëtëm një fshat të vogël pranë kufirit shqiptaro-grek, por edhe marrëdhëniet diplomatike mes Tiranës dhe Athinës zyrtare.  Ngjarja e rëndë çoi në replika të ashpra në distancë mes kryeministrit Edi Rama dhe holologut të tij grek Aleksis Tsipras, ndërkohë që mediat e vendit fqinj kanë shpërthyer me akuzat se vrasja e të riut ishte e pajustifikueshme.  Nga ana tjetër, deputetë të Agimit të Artë dhe përfaqësues të sindikatave të Epirit të Veriut kanë protestuar mbrëmjen e të dielës jashtë Ambasadës Shqiptare në Athinë, kundër vrasjes së një ekstremistit grek nga policia shqiptare. Burime nga vendngjarja thonë për gazetën Si se mes protestuesve janë tre deputetët e Agimit të Artë: Christos Papas, Nikos Lagos dhe Ilias Panagiotaros

Gjithçka nisi pasi minoritari Kostandinos Kaçifa sulmoi me armë forcat e policise gjatë një feste në Bularat, të Dropullit, por orë të tëra arratie, mbeti i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat RENEA.  Mes tij dhe forcave speciale ka pasur shkëmbim të ashpër zjarri, duke u rrezikuar seriozisht edhe jeta e efektivëve të RENEA-s. Kjo ndikohej edhe për shkak të terrenit të vështirë malor, ku mundësia e mbrojtjes së uniformave blu ishte e ulët. Forcat RENEA intensifikuan shkëmbimin e zjarrit ndaj 35-vjeçarit, duke e lënë të vrarë. Autori ishte i armatosur me 3 karikatorë kallashnikovi dhe qëllonte me breshëri vazhdimisht ndaj policisë.

Deputetë të Agimit të Artë dhe përfaqësues të sindikatave të Epirit të Veriut kanë protestuar mbrëmjen e të dielës jashtë Ambasadës Shqiptare në Athinë

 Ngjarja ka shktaktuar jo vetëm protesta në Selanik e Athinë, por edhe një përplasje diploamtike mes dy vendeve. Pak pasi policia shqiptare konfirmoi se 35 vjeçari kishte mbetur i vrarë, Ministria e Jashtme greke reagoi me anë të njoftimi zyrtar duke thënë se vrasja e Kaçifes është  “e papranueshme” .

Reagimi i Athinës zyrtare

Ministria e jashtme greke deklaroi se i gjithë incidenti në Bularat është ndjekur në kontakt të ngushtë me autoritetet shqiptare. Por Athina zyrtare nuk nguroi të kërkonte nga autoritetet shqiptare sqarimin e plotë të rrethanave të vrasjes së 35-vjeçarit grek, i cili është pjesë e ushtrisë.

“Dyshohet se Konstantinos Kaçifa hapi zjarr me një kallashnikov ndaj makinës së policisë shqiptare, e cila ishe në operacion për arrestimin e tij. Shprehim keqardhjen tonë të thellë për vdekjen shtetasit grek, ngushëllime për familjen. Në çdo rast, është e papranueshme humbja e një jete. Ne presim që autoritetet shqiptare të sqarojnë plotësisht rrethanat në të cilat u vra shtetasi grek dhe më pas do të marrim masat e duhura menjëherë”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Greqisë.

Por një reagim edhe më i fortë ka ardhur nga kryeministri Aleksis Tspiras, i cili e ka cilësuar të papranueshme vrasjen e 35 vjeçarit nga policia shqiptare. Kreu i qeverisë greke theksonte në një reagim në rrjetet social se kërkon sqarime nga qeveria shqiptare.

Reagimi i Tiranës zyrtare

Pak para protestave në Athinë dhe Selanik, qeveria shqiptare shprehu zhgënjim me reagimin e Athinës zyrtare, duke theksuar se pala greke duhet të dënonte sulmin me armë ndaj forcave të rendit. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë reagoi nëpërmjet një njoftimi zyrtar,ku shprehte keqardhjen për politizimin e pajustifikueshëm të ngjarjes në shtetin fqinj.

“Rrethanat në të cilat humbi jetën shtetasi Kacifa janë bërë të ditura zyrtarisht nga autoritetet kompetente shqiptare. Policia e Shtetit ka sqaruar me detaje se kjo është një ngjarje totalisht e izoluar nga aktivitetet e sotme ne zonë dhe nje rast flagrant agresioni ekstremist ndaj Policisë së Shtetit Shqiptar. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme shpreh zhgënjim për reagimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila jo vetëm nuk dënon sulmin me armë ndaj forcave tona të rendit, po flet për “humbje jete të papranueshme”. Duke bërë thirrje për maturi dhe mosngjyrime politike e diplomatike të këtij rasti sa të qartë dhe të paprecedentë, i sigurojmë fqinjët tanë se Shqipëria është vend i sigurtë e i qetë për të gjithë shtetasit e saj, përfshirë pa asnjë dallim ata me kombësi greke”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

Këtij qendrimi i është bashkuar edhe Kryeministri Edi Rama, i cili i bëri thirrje vendit fqinj të falenderonte Zotin që ngjarja e rëndë nuk shënoi viktima.

Kryeministrit Edi Rama dhe Aleksis Tsipras

“Fqinj të dashur! Në vend ta quani të papranueshme humbjen e jetës së një të fandaksuri që qëlloi me plumba luftarakë mbi policinë tonë, e cila bëri vetëm detyrën e saj, bashkohuni me ne në falenderimin e Zotit që asnjë jetë e pafajshme nuk humbi sot nga marrëzia ekstremiste”, shkruan Rama në Twitter.

Njoftimi i policisë

Rreth orës 18 të pasdites të së dielës, policia shqiptare njoftoi zyrtarisht se 35-vjeçari qëlloi me breshëri plumbash drejt uniformave blu, kishte mbetur i vrarë gjatë një shkëmbimi zjarri. Forcat RENEA të ndihmuara nga një helikopter e lokalizuan pranë një depo uji, në rrethinat e fshatit. Në njoftimin zyrtar, policia theksonte se kishte bërë disa thirrje disa herë Kostandin Kaçifës të dorëzohet, por se ai vazhdoi të qëllonte. Në këto kushte, RENEA është kundërpërgjigjur dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit, mbeti i vrarë.

Kostandinos Kaçifa

Në njoftimin zyrtar, policia shqiptare sqaronte se: "Më datë 28.10.2018, rreth orës 10.00, në fshatin Bularat të Bashkisë Dropull të  Rrethit Gjirokastër ka pasur të shtëna me armë zjarri. Punonjësit e Policisë të cilët ishin të planizuar me shërbim në fshatin Bularat kanë shkuar menjëherë në drejtim të vendit nga u dëgjuan të shtënat me armë. Në momentin e mbërritjes në vend, punonjësit e Policisë janë sulmuar me armë zjarri nga një person i veshur me uniformë ushtarake. Nga zjarri i hapur kundër personelit të policisë u godit dhe u dëmtua automjeti i policisë. Të ndodhur përballë kësaj situate, punonjësit e policisë kanë kërkuar mbështetje me efektivë shtesë si dhe janë vënë në ndjekje të autorit të sulmit me armë. Në ndihmë të punonjësve të policisë kanë mbërritur shërbime të tjera të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe grupi hetimor. Gjatë ndjekjes nga forcat e ardhura të policisë, shtetasi i armatosur ka hapur përsëri zjarr në drejtim të Policisë duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Nisur nga rrezikshmëria që paraqiste shtetasi, i identifikuar si Kostandions Kaçifa, 35 vjeç, lindur dhe banues në Bularat Gjirokastër, policia vendore ka kërkuar menjëherë ndihmën e forcave speciale për të bërë të mundur përballimin e sitatës së pazakontë për forcat vendore. e mbërritjen në vendngjarje, kanë ushtruar kontroll në banesën e të dyshuarit. Nga kontrolli i ushtruar në banesë nuk është bërë e mundur gjetja e tij  dhe në këtë kohë ka nisur  krehja e zonës.Forcat speciale kanë bërë të mundur lokalizimin e tij në një shpat mali mbi fshatin Bularat.Në momentin e zbulimit nga forcat e policisë, Shtetasi Kostandinos Kaçifa , ka hapur menjëherë zjarr ndaj tyre. Forcat speciale janë pozicionuar për të mbrojtur jetën e tyre dhe nëpërmjet megafonit i kanë bërë thirrje të herëpashershme shtetasit që vijonte të qëllonte me armë që të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit.Shtetasi Kaçifa ka vijuar të qëllojë kundër forcave speciale për gati 30 minuta, duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre. Në kundërpërgjigje,  të forcave speciale gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i vrarë shtetasi Kostandinos Kaçifa. Në vendngjarje u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë automatike, model Kallashnikov, dy karikatorë municioni, një çantë me fishekë luftarakë, si dhe 31 gëzhoja. Në banesën e shtetasit Kaçifa u sekuestrua edhe një uniformë kamoflazh.”

Por a ishte e planifikuar përplasja e me forcat speciale? Në një postim në Facebook, në datën 23 tetor, Kaçifa i bënte thirrje të rinjve grekë që në 28 Tetor të shpërndanin një mesazh të fortë.

“Rama dhe Tsipras bëjnë plane pa të zotët e shtëpisë. Për një gjë të jeni të sigurt. Rinia e Vorio Epirit nuk do të qëndrojë spektatore. Thirren të gjithë grekët e Vorio Epirit që në 28 Tetor të dërgojnë një mesazh në çdo anë. Grek ose vdekje!”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë