Lajme

Vrasja e 26-vjeçarit, lihet në burg babai i vëllezërve të kërkuar dhe dy të tjerë

Gjykata e Tiranës ka lënë në burg tre nga katër të arrestuarit për vrasjen e 26-vjeçarit, Indrit Çelaj, i cili u qëllua me plumb në kokë në vilën ku punonte për montimin e kondicionerëve në rrugën “Muhamet Gjollesha”, në kryeqytet.
Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Bujar Kusin, 54 vjeç, babai i Albano dhe Griseldo Kusit.
“Arrest me burg” u dha dhe për shtetasit Ali Sula 43 vjeç dhe Ferdinant Bakalli 41 vjeç.
Ndërkohë, për Luan Çakën 36 vjeç, u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Katër të arrestuarit akuzohen për moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorëve.
Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, me kërkesë të prokurores. Mësohet se asnjë nga të pandehurit nuk ka pranuar se të ketë parë skenën e krimit.
Kusi dhe Bakalli akuzohen për “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”, ndërkohë, dy të arrestuarit e tjerë, Luan Çaka dhe Ali Sula, për “Moskallëzim krimi” dhe “Veprime që pengojnë zbardhjen e të vërtetës”.
Ngjarja e rëndë ndodhi tri ditë më parë, ku vëllezërit Albano dhe Griseldo Kusi, qëlluan me plumb në kokë 26-vjeçarin Indrit Çelaj, i cili punonte si teknik kondicioneri në vilën e tyre që po ndërtohej. 26-vjeçari ndërroi jetë në Spitalin e Traumës.
Dy vëllezërit, me precedentë të mëparshëm penalë, janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë