Lajme

Vrasja e 23-vjeçarit në Fier, policia arreston dy të rinj: Si u arrit në gjurmët e tyre?

Dy të rinj përfunduan në prangat e Policisë së Fierit si autorë të dyshuar të vrasjes së 23-vjeçarit, Florian Selimi, trupi i pajetë i të cilit u gjet në një kanal pranë fshatit Hamil me plagë thike në bark dhe qafë.

Në njoftimin e shpërndarë, policia thotë se shtetasit me inicialet S.S., 26 vjeç dhe K.M., 20 vjeç, që të dy banorë të fshatit Sulaj kanë vrarë gjatë natës së 11 gushtit 23-vjeçarin Selimi. Policia dyshon se krimi është kryer për motive të dobëta pas një ngatërrese të çastit mes të rinjëve.

Si u arrit në identifikimin e autorëve të dyshuar? Burime nga Policia e Fierit pohojnë për gazetasi.al se menjëherë pas zbulimit të trupit të të ndjerit, efektivë të krimeve të rënda në drejtorinë vendore të këtij qarku kanë marrë dëshminë e dhjetra personave, të dyshuar si autorë, apo që ishin në dijeni të ngjarjes.

Ajo që bindi uniformat blu ishin dëshmitë kontradiktore të autorëve të dyshuar. Burimet thonë se në fillim dy të rinjtë kanë mohuar se ishin takuar me viktimën atë ditë the se në momentin kur dyshohet të ketë ndodhur ngjarja kanë qenë bashkë në një lokal dhe nuk dinin gjë.

Por, gjatë marrjes sërish në pyetje, versioni fillestar prej tyre u ndryshua. Burimet thonë se dy të rinjtë pranuan se ishin takuar atë ditë me Florian Selimin, por mohuan vrasjen e tij. Policia këmbënguli dhe thotë se ka edhe dëshmi që provojnë se pak para vrasjes së të riut dy autorët e dyshuar kanë qenë me të.

23-vjeçari Florian Selimi u gjet i pajetë mëngjesin e së hënës në vendin e njohur si “Kthesa e Halimit”. Ai është me origjinë nga qyteti i Tropojës dhe prej disa vitesh ishte shpërngulur në fshatin Sulaj të Fierit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë